Ngjarje

Sulm masiv i hakerave, në shënjestër shërbimi sekret dhe e-Albania

Agjencitë ndërkombëtare të sigurisë kibernetike sinjalizuan një sulm masiv kibernetik në orët e pasdites së të martës. Shtrirja gjeografike e sulmit përfshinte servera nga Shqipëria deri në disa vende të Lindjes së Mesme.

Objektiv i sulmit në vendin tonë kanë qenë agjencitë qeveritare dhe faqet e tyre informative. Bie në sy se pre e këtij sulmi ka qenë edhe faqja e Shërbimit Informativ Shtetëror. Po ashtu, është sulmuar edhe e-Albania dhe faqja e internetit e Radiotelevizionit Publik Shqiptar.

e-Albania është portali i shërbimeve qeveritare online, që në serverat e tij ruan të dhëna të ndjeshme për qytetarët. Gazeta “Si” kontaktoi me zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), që menaxhon këtë portal.

Në kushte anonimati burime të shumëfishta na thonë se sulmi është ende objekt hetimi, por garantojnë se asnjë e dhënë e shtetasve shqiptarë nuk është cenuar. Në shënjestër të hakerave ka qenë aksesimi përmes shërbimit Outlook të Microsoft në e-Albania.

Nga AKSHI na shpjegojnë se Outlook është një shërbim që e përdorin punonjësit e e-Albanias për t’u loguar me emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin e tyre. Por, thonë burimet, aksesi tek të dhënat e qytetarëve përmes kësaj porte hyrëse është i kufizuar.

Publikisht, Shërbimi Informativ Shtetëror as e ka pohuar dhe as e ka mohuar sulmin në fjalë ndaj faqes së tij të internetit. Për vetë natyrën e këtij institucioni, në faqen zyrtare ofrohet pak informacion, por nuk është e qartë nëse hakerat ia kanë dalë mbanë që të hyjnë në serverat dhe bazën e të dhënave ku ruhen informacione më të ndjeshme e që mund të cenojnë sigurinë dhe mbarëvajtjen e punës së SHISH.

Në shënjestër të sulmit kanë qenë faqet zyrtare të internetit në Shqipëri, Liban, Egjipt, Jordani, Emiratet e Bashkuara Arabe, madje edhe në Qipro. Shtrirja gjeografike e sulmit sugjeron një aksion të mirëorganizuar, pas të cilit fshihen hakera ndërkombëtarë, ku ndoshta bëjnë pjesë edhe grupi i njohur si “Anonymous Albania”.

Ky grup është mjaft aktiv me sulmet ndaj faqeve të internetit në vendet fqinje, kryesisht Greqi dhe Serbi. Në rrjetet sociale ata postojnë faksimile të sulmeve të organizuara herë pas herë, ndërkohë që pak ditë më parë në shënjestër të sulmeve të tyre kanë qenë përfaqësitë diplomatike dhe vetë faqja e Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë për ndryshimin e simbolit kombëtar.

Në këto faqe, shqiponja shfaqej e bardhë në një fushë të kuqe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë