Ngjarje

Stuhia e ndihmon, avioni thyen rekordin në fluturimin Nju Jork-Londër

Një avion i “British Airways” theu rekordin duke kryer udhëtimin nga Nju Jorku në Londër për 4 orë e 56 minuta, 1 orë e 27 minuta më pak nga koha mesatare që u duhet avionëve që fluturojnë me shpejtësi nën shpejtësinë e zërit që të përshkojnë këtë distancë.

Shkak i vendosjes së këtij rekordi ka qenë era e fortë jashtëzakonisht e favorshme, që frynte në pjesën më të madhe të Atlantikut Verior me drejtim Perëndim-Lindje.

Erërat në qendër të stuhisë kanë kapur shpejtësinë 370 kilometra në orë. Kjo ka bërë që në lartësinë prej 10 mijë e 600 metra, avioni i fluturimit “BA112” të arrinte shpejtësinë maksimale duke fluturuar me 1327 kilometra për orë.

Rekordi i mëparshëm mbahej nga një fluturim i “Virgin Atlantic” me 4 orë e 57 minuta. Ndërkohë, për fluturimet nga Londra në Nju Jork, kohëzgjatja e fluturimeve në 24 orët e fundit është rritur me mesatarisht 2 orë, për shkak të erës në kah të kundërt.

Linjat ajrore kanë reaguar dhe thuajse të gjitha fluturimet nga Europa për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zhvendosur koordinatat, në jug ose veri të rrymës së stuhisë, për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme, por edhe për të kursyer konsumin e karburantit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë