Shendet

Studiuesit kinezë: Covid-19 erdhi nga India e Greqia në Wuhan

Studiuesit kinezë pretendojnë se COVID-19 e ka origjinën nga India, por ndoshta edhe nga vendet e tjera, përfshirë këtu edhe Greqinë.

Një ekip nga Akademia Kineze e Shkencave pretendon se virusi ndoshta filloi në Indi në verën e vitit 2019 dhe u transmetua nga kafshët tek njerëzit përmes ujit të ndotur, para se të gjendej në Wuhan,  nga ku u zbulua për herë të parë.

Analiza filogjenetike e paraqitur për botim në revistën mjekësore  "The Lancet" tregon se burimi i COVID-19 ishte një vend tjetër. Ekipi i studiuesve në Akademinë Kineze të Shkencave, Universitetin Fudan në Shangai dhe Universitetin e Teksasi në Hjuston, pretendon se COVID-19 mund të jetë transmetuar tek njerëzit për herë të parë në verën e vitit 2019 kur India dhe Pakistani kaloan një krizë uji.  Sipas tyre mungesa e ujit bëri që kafshët e egra si majmunët të dyndeshin në kërkim të ujit dhe kjo kishte rritur  mundësinë e ndërveprimeve  të njerzëve dhe kafshëve të egra.


“Ne spekuluam që transmetimi zoonotik i SARS-CoV-2 mund të jetë shoqëruar edhe me këtë valë të pazakontë të nxehtësisë. Kjo ka shpjegim sepse, vala e nxehtësisë ka nxitur përhapjen e madhe të Covid-19, ndërsa koronaviruset e tjerë si  SARS-CoV dhe MERS-CoV zakonisht e ngadalësojnë përhapjen e tyre në temperatura të larta," shpjegojnë ata.

Studiuesit kinezë thonë se analiza hedh poshtë teorinë se virusi u shfaq për herë të parë në Wuhan dhe tregon se ka tetë vende të tjera si burim i pandemisë: Bangladeshi, India, Italia, Shtetet e Bashkuara, Greqia, Australia, Republika Çeke, Rusia dhe Serbia .

Ata shtojnë se nga këto vende, India dhe Bangladeshi dalin si kandidatët kryesorë. Fakti që të dy vendet aziatike kanë sisteme joadekuate shëndetësore mund të ketë lejuar që COVID-19 të përhapet në heshtje dhe të arrijë në Kinë, ndoshta përmes Evropës.

"Rezultati ynë tregon se Wuhan nuk është vendi ku ndodhi për herë të parë transmetimi njeri-në-njeri SARS-CoV-2,"shkruajnë tre studiuesit.

Studimi është dorëzuar në "The Lancet" por ende nuk është botuar.

Burimi: Greek City Times/ Përktheu: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë