Treg

Studimi: Tregjet e kafshëve, minë me sahat për sigurinë ushqimore

Sabina Veizaj - Si rezultat i mungesës së kontrollit të gjurmueshmërisë së kafshëve, mungesës së certifikatave veterinare e matrikujve, tregjet e kafshëve të gjalla janë kthyer në një minë me sahat për sigurinë ushqimore e më tej.

Ky është rezultat i një studimi të 10 tregjeve në Shqipëri nga 33 të tillë që ekzistojnë gjithsej.

Granit Sokolaj i cili ka udhëhequr studimin me mbështetje të "Lëviz Albania", është shprehur se tregjet e kafshëve të gjalla janë një bombë për përhapjen e sëmundjeve të kafshëve nga njëra fermë në tjetrën dhe vatra infeksioni për përhapjen e sëmundjeve zoonotike (sëmundjet që transmetohen nga kafsha te njeriu).

Kafshë të gjalla të hedhura në makinë drejt therrtores të pamatrikuluara

Sokolaj sqaron për Gazetën “Si” se projekti kishte për objektiv monitorimin e 10 tregjeve të kafshëve të gjalla, në 10 Njësi të Qeverisjes Vendore dhe vënien në lëvizje të administratorëve të tyre apo pushtetit vendor (Bashkitë dhe Shërbimin Veterinar të tyre). Qëllimi ishte ndryshimi i situatës në këto tregje, përmirësimi i kushteve në to, ose mosjelimi i funksionimit të tyre (mbyllja).

Konkretisht u monitoruan tregjet Stom, Golem, Shkodër; Shelqet (Bushat), Vau i Dejës; Milot, Bashkia Kurbin; Librazhd; Rrogozhinë; Çerravë, Pogradec; Voskopojë, Korçë; Mifol, Vlorë; Gostimë, Cërrik dhe Qukës, Prrenjas.

Në të gjithë tregjet e monitoruar, sqaron Sokolaj, u konstatua mungesa e mjekut veteriner, pjesë e strukturave zyrtare të Pushtetit Lokal.

U konstatuan gjithashtu kafshë pa matrikuj që hynin e dilnin në tregje. Shumica e tyre ishin pa certifikata veterinare. Në të njëjtën kohë u konstatua mungesa e sistemit RUDA (Sistemi i regjistrimit të lëvizjes së kafshëve). Është vënë re se blegtorët paguajnë për të hyrë në treg, megjithëse nuk iu ofrohet asnjë kusht, siç e parashikojnë Ligji “Për Shërbimin Veterinar” dhe Ligji “Për Qeverisjen Vendore”. Drejtuesi i studimit thotë se, gjatë monitorimeve të tregjeve, u konstatua heshtja e njësive të pushtetit vendor dhe mosofrimi i shërbimit për qytetarët (blegtorët) siç e parashikon Ligji “Për Pushtetit Vendor” dhe ai “Për Shërbimin Veterinar”.

Si rezultat i komunikimit të gjetjeve nga studimi me përfaqësues të pushtetit vendor, katër tregje kafshësh të gjalla u mbyllën.

Për herë të parë pas 28 vitesh funksionimi, nisën investimet në Tregun e Rrogozhinës, njëri nga dy më problematikët në vend.

Gjatë diskutimeve mbi studimin dhe situatën e sigurisë ushqimore në vend me ekspertë, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe të pushtetit vendor, u konstatua si burim nga rrjedh e gjithë gjendja alarmante e sigurisë ushqimore, mungesa e sistemeve.

“Nëse sistemi nuk funksionon, nuk mund të kemi produkt, nuk mund të kemi siguri ushqimore. Nuk munden 200 agronomë të certifikojnë produktet e 200 mijë hektarëve produkt bujqësor. Duhet të reformohet sistemi. Një hallkë e rëndësishme për të kontribuuar në çështje është pushteti vendor, por që është lënë jashtë, pa asnjë kompetencë”, është shprehur Alban Zusi, kreu i "Albanian Food Industry".

Sipas tij, pranë çdo njësie vendore duhet të ketë zooteknik, agonom dhe veteriner që të raportojë situatën.

Zusi u shpreh kundër idesë se çdo bashki duhet të ketë therrtoren e saj, sepse blegtorët e vegjël nuk mund t'i plotësojnë kushtet për të përftuar sigurinë ushqimore.

Kurse përfaqësuesi i Bashkisë së Korçës vërejti se pavarësisht se pushteti vendor është i ndërgjegjshëm për situatën në terren dhe i njeh mirë problematikat e sigurisë ushqimore, nuk ka kompetenca ligjore të ndërmarrë veprime.

Drejtoresha e Derregullimit, lejeve dhe licensave pranë Ministrisë së Bujqësisë Luljeta Çuko, evidentoi se laboratoret janë në gjendje të mjerueshme.

Çështja e sigurisë ushqimore ka kohë që debatohet në vend. Më herët profesori i veterinarisë pranë Univeristetit Bujqësor në Kamëz do të shprehej për gazetën “Si” se qeveria përpara se të zhvillojnë agroturizimin, shqiptarëve dhe turistëve të huaj duhet t’i ofrojë garanci. Por në këto momente sipas tij, kjo në Shqipëri duket e pamundur, por jo pa rrugë zgjidhje.

“Natyrisht që ka zgjidhje, por këto zgjidhje bëhen kur nuk ka interesa të tjera. Më së pari duhet futur në funksion shërbimi veterinar, i cili duhet të jetë prezent në çdo zonë të vendit dhe nuk duhet të jetë nën kontrollin e privatit. Nuk flas këtu për shërbimin veterinar që merret me mjekimet etj. flas për inspektoriatin veterinar. Pa organizuar dhe konsoliduar këtë strukturë, nuk mund të zgjidhim asgjë. Në këtë strukturë të vihen në punë specialistët e mirë të cilët nuk i mungojnë këtij vendi. Edhe AKU-ja duhet të riorganizohet, të futen njerëz kompetentë e jo të hiqen se denoncojnë padrejtësitë. Këtë e thonë dhe vetë ata në krye, por në fakt nuk bëjnë asgjë. Atyre i interesojnë gjobat se sa puna efektive.”- do të shprehej professor Berxholi.

Sipas tij, profilaksia veterinare, sidomos për sëmundjet zoonotike, duhet të jetë prioritare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë