Shendet

Studimi tek personat e infektuar rëndë: Një në tre, me probleme të shëndetit mendor

Një në tre persona që ishin të sëmurë rëndë me koronavirus u diagnostikuan me probleme neurologjike ose mendore brenda gjashtë muajve nga infektimi, ka zbuluar një studim, i  bërë publik nga “The Guardian”.

Hulumtimi vëzhgues, më i madhi i këtij lloji, përdori regjistrat elektronikë të shëndetit të 236,379 pacientëve kryesisht nga SH.B.A. dhe zbuloi se 34% e tyre kishin pasoja të shëndetit mendor.

Më e zakonshmja ishte  ankthi, në 17% të njerëzve.

Ekspertët paralajmëruan se sistemet e kujdesit shëndetësor duhet të marrin informacione më të hollësishme për të trajtuar pacientët e prekur, gjë që mund të jetë "thelbësore" duke pasur parasysh shkallën e pandemisë.

Ata parashikojnë se kjo situatë mund të ndikojë në shërbimet shëndetësore për vite me radhë.

Diagnostikimet neurologjike si goditja në tru ishin më të rralla, por jo aq  tek ata që kishin qenë të sëmurë rëndë gjatë infektimit.

Nga ata që i ishin nënshtruar kujdesit intensiv, 7% e tyre kishin goditje në tru dhe pothuajse 2% u diagnostikuan me probleme mendore.

Studimi, i botuar në Lancet Psychiatry, zbuloi se këto diagnoza ishin më të zakonshme tek pacientët Covid-19 sesa tek ata që kishin grip ose infeksione të traktit respirator për të njëjtën periudhë kohe.

Pasi morën parasysh karakteristikat themelore shëndetësore, të tilla si mosha, seksi, etnia dhe kushtet ekzistuese shëndetësore, rezultoi se ekziston një rrezik 44% më i madh i diagnozave neurologjike dhe shëndetit mendor tek ata që kishin kaluar Covid-19 sesa tek ata pas gripit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë