Nxehtësia ekstreme mund të jetë shumë më e rrezikshme për të moshuarit nga sa është menduar deri më tani. Një studim i ri tregon se personat mbi 60 vjeç mund të përballen me stres të rrezikshëm të nxehtësisë edhe në një skenar ku temperatura globale rritet me vetëm 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.
Sipas studimit, rreziku është veçanërisht i lartë për të moshuarit, pasi trupi i tyre e ka më të vështirë të përballojë temperaturat e larta.
Me kalimin e moshës, njerëzit djersiten më pak, zemra përballet me ngarkesë më të madhe dhe enët e gjakut nuk zgjerohen me të njëjtin efikasitet. Kjo e vështirëson ftohjen e trupit gjatë ditëve me temperatura ekstreme.
Studiuesit argumentojnë se mënyra se si janë llogaritur deri tani temperaturat e rrezikshme nuk ka marrë mjaftueshëm parasysh ndryshimet mes grupmoshave.
Pragjet e përdorura në studimet e mëparshme ishin kryesisht të përshtatura për të rinjtë dhe më pas aplikoheshin edhe për të moshuarit. Kjo mund të ketë nënvlerësuar rrezikun që këta të fundit përballojnë, përfshirë problemet kardiovaskulare.
Sipas ekspertëve, të rriturit më të rinj mund të përballen me stres të rrezikshëm të nxehtësisë në një nivel ngrohjeje prej rreth 4°C, ndërsa për të moshuarit ky rrezik mund të shfaqet që në 1.5°C ngrohje mbi nivelet para-industriale.
Çdo shkallë shtesë e ngrohjes globale pritet të rrisë ndjeshëm numrin e njerëzve që ekspozohen ndaj periudhave të gjata me stres të pakompensueshëm të nxehtësisë.
Bëhet fjalë për një situatë kur trupi nuk arrin më të ulë temperaturën e tij në mënyrë efektive. Në këto kushte, rritet rreziku për dehidratim, kolaps dhe përkeqësim të sëmundjeve ekzistuese.
Të moshuarit që vuajnë nga sëmundje të zemrës, veshkave apo probleme të tjera kronike janë veçanërisht të ekspozuar. Rreziku pritet të bëhet edhe më i madh për shkak të dy faktorëve që po zhvillohen njëkohësisht: rritjes së temperaturave globale dhe shtimit të numrit të personave mbi 60 vjeç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje