Shendet

Studimi: Njerëzit nën 50 vjeç po plaken më shpejt se brezat e mëparshëm

Nga Gazeta Si- Një studim i ri sugjeron se njerëzit nën moshën 50-vjeçare po përjetojnë një proces të përshpejtuar të plakjes biologjike krahasuar me brezat e mëparshëm, një fenomen që mund të lidhet me rritjen e rasteve të kancerit tek të rinjtë.

Studimi, i publikuar në revistën Nature, zbulon se personat e lindur midis viteve 1965-1974 kanë një moshë biologjike më të lartë sesa ata të lindur në fillim të viteve 1950. E njëjta prirje u vu re edhe tek ata të lindur në vitet 1990, të cilët shfaqën plakje biologjike më të madhe krahasuar me brezin e lindur në fund të viteve 1960.

Sipas autores së studimit, Yin Cao nga Universiteti i Uashingtonit në St. Louis, këto ndryshime biologjike mund të shfaqen shumë më herët sesa pritej dhe mund të ndihmojnë në shpjegimin e rritjes së rasteve të kancerit tek brezat më të rinj.

Ndërsa kanceri është konsideruar tradicionalisht një sëmundje e moshës së tretë, rastet me fillim të hershëm janë shtuar ndjeshëm gjatë tre dekadave të fundit. Sipas British Medical Journal, numri i diagnozave të reja tek personat nën 50 vjeç është rritur me 79% në nivel global që nga viti 1990. Edhe kanceri tek fëmijët është në rritje, me rreth 13.800 fëmijë dhe adoleshentë të diagnostikuar në 27 shtete të Bashkimit Europian vetëm gjatë vitit 2022.

Shkaqet e këtij fenomeni mbeten ende të paqarta. Ekspertët kanë përmendur si faktorë të mundshëm konsumimin e ushqimeve ultra të përpunuara, alkoolin, obezitetin, duhanpirjen, si edhe ekspozimin ndaj mikroplastikës.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se kërkimi nuk provon se plakja biologjike e përshpejtuar shkakton drejtpërdrejt kancerin, por evidenton një lidhje të fortë mes tyre. Ndryshe nga studimet e mëparshme, ky hulumtim analizon ndryshimet biologjike që ndodhin në të gjithë organizmin dhe jo vetëm në qelizat kancerogjene.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë