Dëgjimi i muzikës dhe fjalëve qetësuese ndërsa njerëzit janë pa ndjenja në sallën e operacionit mund të bëjë që njerëzit të zgjohen me më pak dhimbje.
Ky është zbulim nga një hulumtim i ri, botuar në BMJ (British Medical Journal), në të cilin u shikua nëse luajtja e muzikës relaksuese dhe komentet pozitive, të tilla si ‘Ju jeni të sigurt tani dhe në kujdes të mirë’, tek pacientët nën anestezi kishin ndikim në shërimin e tyre.
Çuditërisht, e bëri. Pacientët të cilëve u binin tingujt përmes kufjeve raportuan 25 përqind më pak dhimbje sesa ata që kaluan një operacion në heshtje.
Ata kishin gjithashtu 17 përqind më pak të ngjarë të kishin nevojë për qetësues gjatë 24 orëve të para pas operacionit.
Studimi bazohet në teorinë se ndërsa njerëzit duket se nuk dëgjojnë ndërsa janë nën anestezi, në të vërtetë janë në një gjendje gjumi dhe dëgjojnë cdo gjë.
Kjo do të thotë që rrugët për në tru “mbeten duke punuar”, kështu që trupi mund të dëgjojë dhe përpunojë informacionin.
Kjo qasje e re mund të ndihmojë gjithashtu në zvogëlimin e numrit të pacientëve që trajtohen me ilaçe si opioide të cilat, siç ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur Good Health, mund të shkaktojnë shumë varësi.
Profesori William Harrop-Griffiths, një anestezist në “Imperial College Healthcare NHS” në Londër thotë se ky zbulim është mjaft i rëndësishëm.
“Ilaçet e ngjashme me morfin përdoren zakonisht për të trajtuar dhimbjen akute pas operacionit, por ato mund të kenë efekte anësore, duke përfshirë vështirësi në frymëmarrje dhe nëse pacienti nuk “menaxhohet” si duhet pas operacionit ata mund të bëhen të varur nga këto ilaçe, ' thotë William.
Muzika dihet që ka një efekt të madh në emocionet dhe gjendjen mendore ndërsa jeni zgjuar. Për shembull, kënaqësia e të dëgjuarit të muzikës shkakton lëshimin e endorfinës, e cila mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjeve, stresit dhe ankthit.
“Ne ende nuk e kuptojmë procesin dhe mënyrën si ndodh diçka e tillë”, tha Abigael San, psikolog klinik. Hipoteza është se muzika ka të njëjtin lloj efekti në tru edhe kur jemi pa ndjenja dhe kjo mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjes.
Studimet e mëparshme kanë treguar se dëgjimi i muzikës para, gjatë dhe pas operacionit zvogëlon dhimbjen, ankthin dhe nevojën e njerëzve për qetësues.
Akupunktura para operacionit është identifikuar gjithashtu si një mënyrë për të trajtuar dhimbjen post-operacion, siç sugjerohet nga një studim i prezantuar në konferencën e Shoqatës Amerikane të Anestezisve në vitin 2020. Studimi tregoi se veteranët ushtarakë që bënin akupunkturë para operacionit kishin më pak dhimbje dhe morën gati tre herë më pak opioide në 24 orët e para pas operacionit sesa të tjerët.
Studimi i fundit përfshiu 385 pacientë, të moshës 18 deri 70 vjeç, të cilët iu nënshtruan një operacioni rutinë nën anestezi të përgjithshme që zgjaste nga një deri në tre orë, në pesë spitale në të gjithë Gjermaninë. Ata u ndanë rastësisht në dy grupe. Të gjithë ishin të pajisur me kufje pasi flinin. Gjysma dëgjuan muzikë në kufje dhe fraza pozitive ndërsa pjesa tjetër nuk dëgjuan asgjë.
Gjatë 24 orëve të para pas operacionit, rezultatet e dhimbjes ishin 25 për qind më të ulëta në grupin që dëgjonte tinguj qetësues (bazuar në një shkallë nga zero deri në dhjetë, me dhjetë dhimbjen më të rëndë) dhe 63 përqind më e ulët për ato që kishin regjistrim muzikor.
Daniel McIsaac, një anestezist në Universitetin e Otavës, Kanada, tha se gjetjet treguan që mendja e nënndërgjegjshme “mund të jetë një objektiv i rëndësishëm për përmirësimin e përvojës dhe rezultateve të pacientit”.
Sidoqoftë, studiuesit gjithashtu thanë se mjekët dhe anestezistët duhet të bëjnë kujdes nëse do të përdorin muzikën për lehtësimin e dhimbjeve pasi “siç ka të mira, ashtu ka edhe anët negative”.
Burimi: Daily Mail. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.