Shendet

Studimi i rëndësishëm: S’ka lidhje mes vaksinës MMR dhe autizmit

Një studim i fundit nga Danimarka ka zbuluar se vaksina e MMR (fruthi, shytat dhe rubeola) nuk shkakton autizmin, ashtu siç aludohet nga disa mjekë në të gjithë botën.
Të dhënat kanë treguar se vaksina nuk ka asnjë lidhje me çrrregullime të spektrit të autizmit dhe prindërit që kanë injoruar fushatat e vaksinimit kundër fruthit, shytave dhe rubeolës duhet të sigurojnë fëmijët e tyre. Megjithëse shkencëtarët thanë se grupi i studimit nuk ishte në përmasa të mëdha, rezultatet ishin të qarta se nuk ka asnjë lidhje mes vaksinës dhe autizmit.

Autori kryesor i studimit Dr. Andres Peter Hvid nga Instituti i Mjekësisë në Kopenhagë, tha se rezultatet ishin një dëshmi shkencore e cila do të shërbejë për bindjen e miliona njerëzve.
"Unë e kuptoj që disa prindër ndjehen të pasigurtë dhe të shqetësuar, duke marrë parasysh tregimet kundër vaksinave. Megjithatë shkenca është e pagabueshme,” shton ai.
Në studim thuhet se prindërit duhet të vaksinojnë fëmijë e tyre që në moshën 1-vjeçare dhe më pas në moshën 3-4 vjeçare. Një letër shqetësuese e botuar nga mjeku Andrew Wakefield në vitin 1998, që tregonte se vaksina MMR mund të shkaktonte autizmin, bëri që shumë njerëz në ditët e sotme të jenë ende të pavaksinuar.

Edhe pse disa kohë më vonë lajmi u përgënjeshtrua, fenomeni i kundërshtimit të vaksinimit vazhdoi ndër breza. Gjatë viteve të fundit janë raportuar një sërë rastesh fruthi dhe shumica kanë qenë adoleshentë që nuk janë vaksinuar më parë.
Javën e kaluar, kreu i Shërbimit Shëndetësor Kombëtar në Britaninë e Madhe, Simon Stevens, paralajmëroi se lajmi i rremë pa baza shkencore që u botua përpara shumë vitesh ka shkaktuar një trefishim të rasteve të të sëmurëve ndër vite. Hulumtimi që u botua në revistën "Annals of Internal Medicine", u krye në një grup prej 657,461 fëmijësh të lindur midis viteve 1999 dhe 2010 dhe raporti ishte që 1 në 6,517 fëmijë mund të prekej nga autizmi.
Duke komentuar mbi këtë hulumtim, Helen Bedford, mjek pediatër në Institutin e Shëndetit të Fëmijëve në Great Ormond Street, tha se prindërit që do të vendosin të vaksinojnë fëmijët e tyre duhet të sigurojnë më shumë dëshmi shkencore, pasi vetëm një studim nuk mjafton.
Ndërsa Dr. Andrew Freeman, një pedagog në universitetin Cardiff, tha se çdo studim që dëshmon se vaksina e fruthit nuk ndikon në autizmin është i vlefshëm për të shpëtuar shumë jetë njerëzish.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë