Shendet

Studimi i gabuar, terapia për menopauzën nuk shkakton Alzhemier

Një grup mjekësh të përgjithshëm në Mbretërinë e Bashkuar u bënë thirrje grave që të mos alarmohen nga hulumtimi që tregon se terapia e zëvendësimit të hormoneve (HRT) mund të zhvillojë sëmundjen e Alzhemier.
Ata thonë se HRT është një trajtim efektiv dhe i sigurt për shumicën e grave, kur vuajnë nga efektet anësore të menopauzës dhe rreziku është jashtë zakonisht i ulët. Hulumtimi i cili u publikua përpara gjashtë muajve shqyrtoi të dhënat mbi 170.000 gra në Finlandë për gati 14 vjet. Studimi gjeti se gratë që kryejnë trajtimin e për zëvendësimin e hormoneve, kanë më shumë rrezikshmëri të preken nga sëmundja e Alzhemier, veçanërisht ato që kanë përdorur trajtimin për më shumë se 10 vjet.

Por, mjekët thonë se studimi ishte vëzhgues dhe si rezultat, nuk mund të thuhet me siguri se faktorët e tjerë nuk kishin ndikuar të rezultatet. Ndërkohë që studime të tjera kanë gjetur se HRT në të vërtetë përmirëson funksionimin e trurit.
Gjithashtu, mjekët janë shprehur se hulumtimi nuk provon se HRT shkakton sëmundjen e Alzhemier dhe gratë që aktualisht kanë ndërprerë trajtimin, duhet ta rifillojnë përsëri sa më parë. Kryemjekja Helen Stokes-Lampard thotë se terapia që zëvendëson hormonet mund të jetë një dobi e madhe për shumë gra që vuajnë nga efektet anësore të menopauzës.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha grave që të mos alarmohen nga ky hulumtim, sepse siç thonë hulumtuesit, çdo rrezik është jashtëzakonisht i ulët dhe nëse ato aktualisht janë nën trajtim, duhet të vazhdojnë ashtu si e ka përshkruar mjeku i tyre,” shton ajo.

Për çfarë shërben HRT?
Terapia e zëvendësimit të hormoneve është një trajtim i përdorur për të lehtësuar simptomat e menopauzës. Këto përfshijnë djersitje gjatë natës, luhatje të vazhdueshme humori ose dhimbje të vazhdueshme të kokës. HRT zëvendëson hormone si estrogjeni, që janë në një nivel më të ulët kur gratë hyjnë në fazën e menopauzës. Ato gjithashtu, mund të ndihmojnë në parandalimin e dobësimit të kockave, e cila është e zakonshme pas menopauzës. Shumica e grave përjetojnë efektet anësore të menopauzës për rreth katër vjet, ndërsa një në 10 gra mund të vuajë deri në 12 vjet.
Udhëzimet e Institutit Ndërkombëtar të Shëndetit dhe Përkujdesjes, thonë se HRT ka më shumë përfitime se sa rreziqe. Ndërkohë që organizata joqeveritare të Alzhemierit në Mbretërinë e Bashkuar thonë se studimi ishte tërësisht i pasaktë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë