Ngjarje

Studimi: 70% e grave në Evropën Lindore dhe Juglindore dhunohen

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, paraqiti në Bruksel një raport, që tregon mbi dhunën fizike, seksuale dhe psikologjike që shumë gra dhe vajza në Europën Lindore dhe Juglindore kanë përjetuar gjatë dhjetë vjeçarit të fundit.
Të dhënat dolën nga një sondazh që u krye gjatë vitit të kaluar në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Moldavi dhe Ukrainë, duke intervistuar rreth 15,179 gra dhe vajza nga mosha 18 deri në moshën 74 vjeç.
“Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një shkelje e të drejtave të njeriut me pasoja të shumë anshme. Dhuna jo vetëm kërcënon sigurinë dhe mirëqenien e viktimave të saj, por ndikon edhe në komunitetet dhe shoqëritë ku ato jetojnë,” tha Greminger.
“Ky sondazh i udhëhequr nga OSBE, hedh dritë për herë të parë në shkallën e përhapjes së dhunës që gratë dhe vajzat pësojnë. Gjithashtu, u ofron politikëbërësve informacionin dhe mjetet e nevojshme për përmirësimin e bazës ligjore dhe politikave kombëtare, si dhe për krijimin e mekanizmave efikase për të mbrojtur më mirë viktimat,” shton ai.

Ky sondazh u krye duke realizuar një studim me të dhëna cilësore, duke sjellë një këndvështrim unik për shkallën dhe pasojat e dhunës ndaj grave si dhe për normat dhe qëndrimet e gabuara që kanë mbajtur vendet në rajon.
“Dhuna për shkaqe seksuale dhe gjinore në situata konflikti është në vazhdën e dhunës me bazë gjinore, lidhur ngushtë me pabarazitë e ngulitura dhe, më gjerësisht, me shkeljet e barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut për gratë, përfshirë dhunën digjitale e kibernetike. Kjo do të thotë se dhuna në familje mund të përbëjë dhunë seksuale me bazë konflikti,” tha Mara Marinaki, Këshilltare Kryesore për të Drejtat Gjinore, në OKB.
Studimi i cili u financua nga Komisioni Europian dhe u mbështet nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, UN Women dhe UNICEF tregon se 70% e grave të intervistuara kanë përjetuar një formë të dhunës që në moshën 15 vjeçare, ndërsa 45% e të gjitha grave të intervistuara kanë përjetuar të paktën një nga format e ngacmimeve seksuale që në moshën 15 vjeçare dhe 21% e tyre kanë përjetuar dhunë fizike, seksuale ose psikologjike që në fëmijërinë e tyre.
Disa nga faktorët që mundësojnë dhunën ndaj grave janë përkatësia minoritare, mosha, varfëria dhe vartësia ekonomike. Gjithashtu, duhet të përmendim se edhe gratë që kanë partnerë të alkoolizuar,ose të papunë janë të ekspozuara ndaj dhunës.

Përpos të dhënave raporti hartoi një numër rekomandimesh për shtetet anëtare të OSBE-së që duhet të ndjekin për të përmirësuar situatën e tyre sociale. Në rekomandimet përfshihet rishikimi dhe monitorimi sistematik i ligjeve dhe politikave më të fundit kundër dhunës ndaj grave, angazhimin e institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut dhe transparencën në lidhje me mbështetjen që u jepet viktimave, mbështetjen me mjetet e nevojshme të institucioneve kombëtare që punojnë për barazinë gjinore. Sipas Greminger, vetëm në këtë mënyrë do të mund të ulet numri i të dhunuarave, jo vetëm në Europë por edhe në vende të tjera të botës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë