Ngjarje

Studimi: 64% e adoleshenteve dhunohen nga partneri

Sipas një studimi të kryer gjatë vitit të fundit në disa gjimnaze nga ‘Rrjeti i fuqizimit të gruas në Shqipëri’ (AWEN), ka rezultuar se 1 në 3 adoleshentë kanë kryer marrëdhënie intime dhe 64% e vajzave pranuan se dhunohen fizikisht, kërcënohen dhe pranojnë që partneri t’i kontrollojë rrjetet sociale.

Studimi u lançua sot në ambientet e Qendrës Rinore dhe u cilësua si i pari në llojin e tij, duke sjell gjetje që lidhen me dinamikat e dhunës në marrëdhëniet intime mes rinjve të grupmoshës 16-19 vjeçare.
Të dhënat treguan se adoleshentët që kanë në rrethin e tyre të dhunuara ose dhunues janë pothuaj dy herë më të predispozuar për të qenë viktima të dhunës. Një tjetër faktor shumë i rëndësishëm u cilësua edhe përdorimi i substancave narkotike, që ndikon në dinamikat e dhunshme në marrëdhëniet intime në adoleshencë.

Shumica e të rinjve (89 për qind) e konsiderojnë dhunën ndaj grave dhe vajzave si një problem serioz në komunitetin ku jetojnë, pasi 1 në 3 rinj njohin të paktën një vajzë të dhunuar nga partneri ose familja. Por sikur për të mos mjaftuar këto, u komunikua se 77% e të intervistuarve raportuan se nuk flasin asnjëherë apo flasin rrallë për marrëdhëniet, pasi biseda të tilla vazhdojnë të mbeten tabu për shoqërinë tonë.
Rezultatet e studimit tregojnë se dhuna në marrëdhëniet intime në adoleshencë vjen më së shumti për shkak të ekspozimit të adoleshentëve ndaj dhunës gjatë gjithë kohës.
-64 % e konsiderojnë të pranueshëm kontrollin e aktivitetit të partnerit/partneres në rrjetet sociale.
-52 % e konsiderojnë të pranueshëm të përcaktosh me kë të shoqërohet partneri/partnerja.
-38 %e konsiderojnë të pranueshme t’i bërtasësh partnerit kur janë vetëm.
-28 % e konsiderojnë të pranueshme të injorosh partnerin/partneren dhe të refuzosh të flasësh me të.
Të dhënat treguan se ka një pranimi dhe ushtrimi i dhunës në familje ndikon edhe në pranimin e dhunës në marrëdhëniet intime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë