Dikush e ka quajtur “ari”, duke luajtur me fjalën “medved”, që në rusisht përcakton pikërisht kafshën e frikshme. Danil Medvedev ka mësuar me kohën të vendosë “putrën” fituese, siç tregoi edhe në finalen e US Open kundër Novak Gjokoviç. Rusi është i pari që arrin të imponohet në një Slam, duke mundur një nga “Big Three”. Meritë e një loje të paparashikueshme, jashtë çdo skeme, por në thelm rrjedhojë e një stërvitjeje solide dhe vëmendjes ndaj taktikës.
Medvedev është një lojtar ndryshe. Tenisi i tij duket shkencor, që rjedh edhe nga studimet që ka kryer, siç ka treguar në një intervistë për “The Tennis Time”: “Nëna ime gjithmonë më çuar në aktivitete të ndryshme përveç tenisit, sepse kishte frikë se nuk do të kisha sukses. Kam studiuar për fizikë dhe matematikë, çka ka kontribuuar për zhvillimin e aftësive të mia analitike, që tashmë më ndihmojnë në fushë”.

Për momentin studimet janë ndërprerë për t’i dhënë hapësirë karrierës tenistike, që Medvedev synon ta pasurojë sa më shumë në të ardhmen. Gjithmonë në lidhje me pasionet e veçanta dhe studimet, Danil ka pranuar se është një fans i videolojërave dhe shahut.
“Dua më shumë ‘Play Station’, por luaj vërtet shah. Jo në nivel profesional, edhe pse nuk jam keq”, – ka shpjeguar Medvedev, duke rrëfyer se nuk e di se sa ky lloj argëtimi mund të influencojë te tenisi. Sigurisht, rregulli taktik mental i shahut është i dobishëm edhe për të planifikuar më shumë strategji në çdo situatë. Dhe me shahun mund të lidhet e ardhmja pas tenisit: “Mund të bëhem një lojtar i mirë në nivelin e diletantëve”, – pohon rusi.

Medvedev ka një nga pikat e forcës në fizikun e tij. Rusi i datëlindjes 1996, është 198 centimetra i gjatë dhe është jashtëzakonisht shpërthyes, i aftë të mbulojë gjithë terrenin e lojës. Përveç stërvitjes në fushën e tenisit, rutina e tij ditore është edhe në palestër. Aty punon për forcën dhe ekuilibrin me ushtrime të ndryshme.
Danil ushtrohet për të mbajtur stabilitetin mi një “balance ball” dhe në të njëjtën kohë kap dhe hedh një top. Një metodë rigoroze që e ndihmon Medvedevin të gjejë zgjidhjen fituese në çdo situatë. Deri tani, puna ka dhënë rezultatin e duhur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.