Ngjarje

Studentët s’kanë besim te VKM-të: Kërkesat të plotësohen me ligj

Këtë të hënë duhet të niste java e dytë e mësimit nëpër auditoret universitare të Tiranës, por rezistenca e një pjese të madhe të të rinjve vazhdon, tashmë jo më në rrugë. Procesi mësimor vijon të bojkotohet në pjesën më të madhe të fakulteteve të Universitetit të Tiranës.

• Dekanati i Filologjikut dënon ndërhyrjen e policisë te studentët

Epiqendra të rezistencë mbeten tre fakultete. Pamjet që na mbërrijnë nga Fakulteti Ekonomik, ai i Drejtësisë dhe nga fakultetet e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe të Arkitekturës e Urbanistikës dhe në disa degë të Universitetit Politeknik dëshmojnë vendosmërinë e studentëve protestues për të mos u tërhequr nga kërkesa e tyre kryesore tashmë; anulimin e ligjit për arsimin e lartë.

Megjithatë, ashtu siç ishin në protestat para Ministrisë së Arsimit dhe para Kryeministrisë, edhe në auditorët e leksioneve dhe seminareve jo të gjithë janë në një mendje. Një pjesë e të rinjve kërkojnë që të rikthehet normaliteti dhe të vijojë mësimi. Sipas tyre, kërkesat kryesore janë plotësuar.

Por, grupet e të rinjve që protestojnë thonë se përfaqësojnë shumicën e studentëve. Ata këmbëngulin që kërkesat të plotësohen me ligj, pasi shprehen mosbesues tek forma e zgjedhur deri më tani nga Qeveria, ajo e plotësimit të kërkesave përmes VKM-ve.

“Ashtu siç i miratoi brenda pak orëve, ashtu edhe mund t’i anulojë përmes një VKM-je të dytë po brenda pak orëve”, thonë ata.

Bojkotit të mësimit i janë bashkuar edhe studentët e Universitetit Mjekësor. Ata janë grumbulluar në korridoret e godinës, ndërsa një grup shprehu mbështetjen për bashkëmoshatarët e tyre në Fakultetin e Ekonomikut dhe të Juridikut që prej mbrëmjes së të dielës.

https://www.facebook.com/universiteti.info/videos/269950413673628/

Forma e protestës nuk ka përçarë vetëm studentët, por edhe pedagogët dhe stafet akademike nëpër universitete. Pjesa më e madhe e tyre kanë zgjedhur që të mos shprehin hapur as kundërshtinë dhe as mbështetjen ndaj studentëve, por disa kanë dalë hapur kundër vijimit të protestës, e të tjerë pro saj.

Në situatën e krijuar është e vështirë të përcaktohet nëse shumica po proteston apo po mëson, por një orientim na e ofrojnë shifrat. 29.6 për qind e studentëve sot studiojnë Ekonomi dhe Ligj, 12.2 për qind Shkenca Sociale dhe Gazetari, 9.7 për qind për mësuesi, 11 për qind Shkenca Natyrore dhe Informatikë dhe 8.2 për qind Inxhinieri dhe Prodhim.

Nisur nga këto shifra mund të thuhet se në mos shumica, gjysma e studentëve sot janë ende në protestë përmes bojkotit të mësimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë