Ngjarje

Studentët bojkotojnë mësimin e rinisin protestën. Me nxitje partiake?

Kjo e martë janari ka kthyer përsëri studentët në shesh, për të protestuar mbi faktin se qeveria nuk i ka përmbushur kërkesat e tyre. Duke bojkotuar mësimin, një grup studentësh nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Fakulteti i Drejtësisë dhe nga Politekniku, u drejtuan në Kampusin Universitar për t’u mbledhur të gjithë së bashku dhe kërkonin nga qeveria plotësimin e pikave të njëjta, për të cilat u ngritën fillimisht në dhjetorin e vitit 2018.

Në mesin e studentëve protestues kishte edhe studentë pjesëmarrës në protestat e shkuara. Të paktë në numër, ata shpjegonin se përveç pikave të paplotësuara, nuk kishin një kauzë tjetër për të cilën kishin bojkotuar mësimin.

Burime në mesin e tyre tregojnë se protesta e sotme është nisur fillimisht nga Fakulteti i Drejtësisë dhe personat nxitës kanë qenë pjesë e forumeve partiake opozitare. Ndërkohë, një grup studentësh thanë për Gazetën “Si” që u bëjnë thirrje të gjithë studentëve të ngrihen dhe të mos kenë frikë, sepse së bashku mund të ndryshojnë gjithçka.

Njësoj si para dy vitesh, studentët mbanin në duar pankarta me thënie të ndryshme që tregonin se ata duhet të bashkohen për kërkesat e paplotësuara. Disa prej tyre ishin: “Kur padrejtësia shndërrohet në ligj, rezistenca bëhet detyrë”, “Raketat e Iranit rrënuan konviktet?”, “Nëse s’ka guxim rinia, vaj medet Shqipëria”.

Studentët treguan se një shkak më shumë për të cilin ata ishin mbledhur, ishte edhe fakti se “studentët me një prind të paralizuar nuk mund të përfitojnë bursë”. Ka qenë pikërisht organizata “Qëndresa Rinore” që bëri të ditur lajmin se studentët do të nisnin protestën nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”. Ende nuk dihet nëse protesta e sotme do të vazhdojë më tej, por studentët sot më shumë sesa brohorisnin për kërkesat, u bënin thirrje dhe bashkëmoshatarëve të tyre t’u bashkoheshin.

Më herët, përgjatë vitit 2019 disa studentë u vendosën përballë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të kërkuar po ashtu të njëjtat kërkesa si sot, por situata u tensionua, pasi studentët gjuajtën me gur ndërtesën dhe hodhën flakadanë. Kjo ishte një protestë që zgjati pak orë dhe u shua brenda ditës.

Tashmë ka kaluar më shumë se një vit nga protestat e dhjetorit të 2018-ës, ku një numër shumë i madh studentësh dolën në rrugë për disa ditë radhazi me një sërë kërkesash kundër ligjit të Arsimit të Lartë.

Pakti për Universitetin i gjen sërish të pakënaqur studentët, një pjesë e mirë e të cilëve thonë se nuk kanë përfituar nga premtimet e uljes së tarifave, apo nga rritja e cilësisë në mësimdhënie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë