Ngjarje

Studentët në Tiranë frymëzim edhe për të rinjtë në Tetovë

Protesta e studentëve në Shqipëri duket se ka frymëzuar edhe të rinjtë në Maqedoni që të ngrihen dhe të luftojnë për të drejtat e tyre. Ashtu si të rinjtë në Tiranë, edhe studentët shqiptarë në Maqedoni kanë kërkuar përgjysmim e tarifës, përmirësimin e kushteve në auditorë dhe luftë kundër korrupsionit, kërkesa që edhe për ta janë të padiskutueshme. Dhe në Ballkanin e liderëve autoritarë, protestat studentore kanë qenë gjithnjë ato që, në mos u kanë vënë fre, i kanë vënë gjithnjë në vështirësi të madhe qeveritë.

Qindra studentë kanë protestuar të martën në Tetovë duke mbajtur pankarta në gjuhën shqipe në duar dhe duke kërkuar ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë, depolitizimin e universiteteve, luftën kundër korrupsionit e uljen e pagesave. Kësaj proteste në kryeqendrën e shqiptarëve në Maqedoni i janë bashkuar studentët nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Terezë” dhe Universiteti i Evropës Juglindore.

Ashtu si në Tiranë, edhe studentët shqiptarë në Tetovë u kanë drejtuar një sërë kërkesash Qeverisë së Maqedonisë dhe rektorëve të universiteteve. Atyre u janë bashkuar qindra nxënës nga shkollat e mesme dhe prindër.

https://www.youtube.com/watch?v=1-GEbqobJ4w&feature=player_embedded

Të rinjtë shqiptarë në Tetovë dhe Tiranë hasen me të njëjtat probleme, tarifat e larta, studentore, profesorë që detyrojnë studentët të blejnë librat e tyre dhe papunësinë e lartë. Në një listë drejtuar qeverisë, ata kanë theksuar se nuk pranojnë dialog deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Partitë politike të heqin dorë nga parlamentet studentore dhe kërkesat që duhet të plotësohen pa dialog e pa asnjë kusht tjetër. Pa plotësimin e kërkesave tona ne nuk do ndalemi. UT-ja është e kapur për fyti nga nepotizmi dhe politika”, deklaron një i ri për mediat maqedonase, duke folur për kërkesat e studentëve. “Kemi mjaft studentë që ankohen për vendosjen e notave në bazë të disa kritereve që nuk duhet të ishin, si për shembull ryshfeti. Dy libra duhet t`i blesh 170 euro dhe në fund duhet ti kthesh sërish, çfarë është kjo?”, pyet ai.

Të martën, protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoni nisi nga sheshi i qytetit dhe vazhdoi drejt Universitetit të Tetovës, ku i priste policia.

“Studentët kanë marshuar për gjatë gjithë rrugës së Ilindenit e deri tek Universiteti i Tetovës, por, siç edhe mund të shihni, në derën hyrëse ata hasën në kordonin e Policisë, dhe nuk u lejuan të futen brenda”, rrëfen i riu, duke paralajmëruar se do ta vazhdojë protestën edhe në ditët e ardhshme.

“Studentët e Revoltuar” quhet kanali nëpër rrjetet sociale ku studentët koordinohet me njëri-tjetrin për mbarëvajtjen e protestës. Bashkëngjitur me thirrjen për protestë, “Studentët e Revoltuar” kanë hartuar edhe një listë kërkesash prej 13 pikash, duke i kërkuar qeverisë:

1-Subvencionimi ose heqja e pagesës së praktikës dy mujore nga Universiteti (50 euro),  zvogëlimi i tarifës për studentët e huaj (50%) dhe Heqja e pagesës prej 100 eurosh për çregjistrim nga universiteti.

2-Heqja e detyrimit të blerjes së librave nga ana e profesorëve të caktuar.

3-Rinovimi i sallave, laboratorëve dhe furnizimi me mjete të domosdoshme për studentët.

4-Publikimi i statutit të universitetit dhe publikimi i vlerësimet e studentëve në faqen e universiteteve.

5-Statuti i Parlamentit Studentor të jetë në faqen e universitetit dhe parlamenti studentor të jetë i pavarur nga rektori dhe partia politike.

6-Largimi i profesorëve të denoncuar për kryerje të ndonjë vepre penale brenda institucioneve arsimore.

7-Rishikimi i titujve akademik dhe verifikimi i plagjiaturave. A është respektuar ligji , koha për kalim prej një titull në tjetër dhe punimet shkencore.

8-Ndalimi i diskriminimit të femrave dhe kushtëzimi i tyre me akte të turpshme në këmbim note.

9-Kërkojmë nga Revizioni shtetëror, agjencia e anti-korrupsionit, inspektoriati i arsimit dhe policia financiare që të hetojnë çdo shpenzim të buxhetit të universitetit që plotësohet nga studentët dhe taksapaguesit.

10-Kuadri universitar të marrë përgjegjësinë për ndryshimin e programeve mësimore, diskriminuese, në të gjitha nivelet e arsimit shqip.

11-Partitë politike mos të kenë ndikim tek emërimi i pedagogëve

12-Kërkojmë urgjentisht që Universitetet të çlirohen nga nepotizmi, në vend të familjarëve të punësohen profesorë të kualifikuar që do punojnë për interesin e studentëve e jo për qëllime familjare.

13-Të financohet ekskursioni profesional ose heqja saj si lëndë obligative

Qeveria në Maqedoni ka të ngjarë t’i marrë më seriozisht se Tirana zyrtare 13 kërkesat e studentëve, pasi ishin pikërisht ata që rrëzuan Nikolla Gruevksi.

Ish-kryeministri tashmë është në arrati në Hungari, ku ka kërkuar azil politik për t’i shpëtuar burgut. Por dy vite më parë askush nuk mund ta parashikonte fundin e tij, pasi i ashtuquajturi “Putini” i Ballkanit kishte kapur të gjitha institucionet shtetërore dhe kontrollonte të gjitha sindikatat e punëtorëve dhe grupet e protestuesve. Ai duket se kishte nën kontroll gjithçka, përveç studentëve.
Dhe do të ishin pikërisht ata që do të çonin drejt fundit të tij.

Për herë të parë në Shkup u kapërcyen ndarjet etnike midis maqedonase dhe shqiptarëve, duke bërë që të rinjtë të bashkoheshin së bashku përballë atyre që ata i konsideronin padrejtësi. Vendimi i qeverisë së Gruevskit për të instaluar një sistem të centralizuar të provimeve të arsimit të lartë në vjeshtën e vitit 2014, ishte pikënisja e protestave më të mëdha qytetare që kishte parë vendi.

Ajo që kishte nisur si një lëvizje studentore kundër reformës arsimore, u shndërrua sa hap e mbyll sytë në një lëvizje kombëtare anti-qeveritare. Analistët vlerësojnë se me siguri Gruevski do të ishte ende në pushtet, më autoritar se kurrë, po të mos ishte për mobilizimet fillestare të studentëve. Veprimet e një brezi të ri rebel ishin pikërisht ato që i “ulën hundën” qeverisë në Shkup.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë