Ngjarje

Studentët do qëndrojnë në konvikte nëse janë në punë!

Dy ditë para se të niste mësimi në universitete, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, deklaroi se këshillonte që universitetet të bëjnë mësimin online. Kjo solli një shqetësim tek studentët se shumica e tyre kishin paguar qiranë, konviktin dhe tarifën e shkollës. Për shkak të kësaj kakofonie të madhe ku askush nuk ishte i sqaruar, studentët mbajtën një protestë dy ditore përballë Ministrisë së Arsimit. Protesta e studentëve e pati zanafillën nga reagimet në rrjete sociale, ku diskutonin për ankesat dhe problemet e tyre. Gjatë ditëve të protestës, studentët treguan për Gazetën “Si” se ju ishte komunikuar që studentët të cilët ishin në punë në Tiranë dhe kishin paguar konviktin, mund të qëndronin në konvikt duke paraqitur një vërtetim nga punëdhënësi.
Por burime të Gazetës “Si”kanë treguar se studentët janë përballur me një tjetër problem. Edhe pse ata kanë një vërtetim, nuk i pranojnë në konvikt, duke ju paraqitur rregullin se mësimi do të vijojë online dhe konviktet janë të mbyllura.
Për të saktësuar nëse deklarata e studentëve gjatë protestës ishte e vërtetë, Gazeta “Si” komunikoi me Bashkinë e Tiranës, ku zëdhënësi konfirmoi që studentët të cilët janë në marrëdhënie pune, mund të qëndrojnë në konvikt. Nga ana tjetër Drejtoria e Konvikteve, nuk ka asnjë reagim dhe nuk jep asnjë shpjegim, për sa po ndodh me konviktet dhe se ku duhet të strehohen studentët të cilët kanë paguar tarifën e konviktit.
Për sa i përket studentëve që kanë paguar konviktin për këtë vit, në një deklaratë për mediat dje kryeministri Rama, deklaroi se paratë do t’i kthehen studentëve.
“Të rinjtë transmetojnë COVID-in, se shumica janë asimptomatik dhe se nuk janë të prirur të respektojnë rregullat dhe marrin qafë njerëzit më vulnerabël në familje dhe natyrisht që tarifat e paguara për konviktet do të mbahen për muajt e tjerë nëse do të vijnë në konvikt ose do ju kthehen, se nuk është hotel privat nuk ka asnjë problem, por ajo që është e sigurt që nuk po bëjmë asgjë të veçantë nga sa bëjnë të tjerë. Të gjithë punojmë duke hedhur çdo ditë nga një hap, shikoni Francën”, deklaroi Kryeministri.
Në protestë dukej qartë se pakënaqësia e studentëve shtynte edhe entuziazmin e tyre. Ndërkohë kishte edhe nga ata të cilët ishin në oborret e universiteteve, për të marrë më shumë informacion për sa i përket fillimit të vitit të ri akademik. Sipas studentëve mësimi online nuk ka funksionuar dhe ka pasur raste kur pedagog nuk ishte paraqitur. Por tashmë është vendosur që mësimi do të realizohet online, ndërkohë me studentët që kanë paguar konviktin e përsëri nuk kanë ku të rrinë nuk dihet se çfarë do bëhet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë