Futboll

Strakosha tek Liverpuli? Mediat angleze: “The Reds” ofrojnë 30 mln euro

Dy gafat e rënda në finalen e luajtur kundër Realit i kushtuan shtrenjtë Loris Kariusit, portieri gjerman i Liverpulit.

Në Angli mediat sportive vendase e bëjnë fakt të kryer; nga sezoni i ri në portën e “The Reds” do të jetë një tjetër emër.

Emrat që qarkullojnë janë disa, por së fundmi mes tyre ka mbirë edhe Thomas Strakosha, portieri i Kombëtares shqiptare dhe i skuadrës së Lacios në Itali.

Gjithmonë sipas asaj që shkruajnë mediat britanike, Jurgen Klopp është i gatshëm t’i ofrojë 30 milionë euro skuadrës së Lacios, një shifër që ndoshta do ta vinte në mëdyshje Igli Taren dhe Claudio Lotiton.

Strakosha pati një nisje të shkëlqyer të sezonit me bardhekaltërit, por në mbyllje të tij u fajësua nga një pjesë e tifozerisë për golat e pësuar në ndeshjen kundër Interit, ndeshja vendimtare që i la jashtë Ligës së Kampionëve për vitin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë