Drejtësia

Sterilizimi, ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, dëshmon për herë të dytë në SPAK

Gazeta Si - Ish-zëvendësministri Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj është pyetur këtë të enjte në SPAK për të dytën herë për koncesionin e sterilizimit.

Ai është thirrur për herë të parë një muaj më parë, seancë e cila zgjati 12 orë. Hetimet e SPAK që zgjasin prej 2 vitesh e gjysmë, konstatojnë se koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin.

Në vitin 2016, Prokuroria e Tiranës kreu një hetim mbi këtë koncesion, por pushoi hetimet.

Pyetja e ish-zëvendësministrit vjen në një kohë kur Prokuroria e Posaçme është duke finalizuar hetimin për koncesionet e sterilizimit të pajisjeve mjekësore të operacioneve dhe shërbimin e ‘Check Up’ në spitalet vendit.

Pjesë e procedurës është edhe marrja në pyetje e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë.

Vetëm tenderi i strerilzimit të pajisjeve mjekësore ka një kontratë prej 12.3 miliardë lekëve, ndërsa Check Up shkon në rreth 8.7 miliardë lekë.

Ditët e fundit SPAK ka marrë në pyetje disa persona, ndërsa të gjitha spitaleve në vend u është kërkuar dokumentacioni i nevojshëm në lidhje me këtë koncesion.

Procedura për sterilizimin e seteve kirurgjikale është dosja e parë e SPAK dhe është nën hetim prej 3 vitesh.

Kallëzimi u bë nga përfaqësues të Nismës Thurje, të cilët kanë denoncuar penalisht zyrtarët e përfshirë në dhënien me koncesion të procesit të sterilizimit.

Ata kanë kërkuar hetimin e zyrtarëve, duke nisur nga ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, i cili sipas tyre kanë abuzuar me buxhetin e shtetit.

Në akuzat e kallëzuesve, thuhet se ky koncesion është i panevojshëm, duke hedhur dyshime për abuzime të ndryshme financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë