Lojëra me Dore

Stefën Kerri lider, Golden Stejt shkon në finalen e madhe të NBA

Po shkohet drejt një rikonfirmimi të kampionëve aktual në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA. Golden Stejt likuiduan edhe në ndeshjen e katërt finale, Portland Trejzërs dhe prenë biletën e parë për në finalen e madhe të play off-it. Stefën Kerri ishte lideri që mori prej dore ekipin e tij në këtë ndeshje të katërt që nuk ishte aspak e lehtë për t’u fituar.

Ndeshja, ishte më e forta nga të gjitha përballjet e mëparshme. Portland tentoi që të fitonte një ndeshje nderi nga këto finale, por nuk ishte me fat. Sfida e zhvilluar në “Moda Center” ishte për rekord, pasi zgjati më shumë se 80 minuta dhe u arrit të zgjidhej vetëm pas kohës shtesë. Në periodën e tretë të ndeshjes, kur Portland u shkëput me më shume se 15 pikë, u duk sikur kjo përballje e katërt iu iku nga duart kampionëve në fuqi. Por Kerri, tregoi edhe një herë tjetër se përse është basketbollisti më i mirë i momentit dhe pretendenti numër një për MVP në NBA. Me 31 pikë, 11 asist dhe 13 ribaund, Kerri mori prej dore ekipin e tij, duke barazuar fillimisht në fundin e periodës së katërt dhe më pas duke përmbysur gjithçka në shtesë.

Tashmë me titullin e kampionit në Konferencën e Perëndimit, Golden Stejt është në pritje të fituesit nga çifti i lindjes, mes Miluoki Baks dhe Toronto Raptërs. Por duke parë ndeshjet e deritanishme në këtë duel, për Uorriërs parashikohen pushime disa ditore për t’u përgatitur sa më mirë për finalet e mëdha. Golden Stejt shikohet favorite ndaj cilitdo ekip që do dalë nga Lindja, por gjithsesi mbetet për t’u parë se si do të shkojë, pasi në NBA surprizat janë gjithmonë prezente.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë