Teknologji dhe Inovacion

Nuk ke se cilën çerdhe të zgjedhësh?! OP, një ide për biznes… edhe një tjetër më pas

Sabina Veizaj - Pezana Rexha dhe Laert Beshiri janë dy prindër të rinj. Vajza e tyre Dora rreth dy vite më parë do të shkonte për herë të parë në çerdhe. Të përballur me shqetësimet dhe problematikat e sistemit të edukimit, Pezana dhe Laerti nuk kishin asnjë informacion krahasues, siç thonë ata, për të vendsour se në cilën çerdhe do ta shpinin vajzën e tyre.

“Këtu lindi idea e Eduaktiv. Nga nevoja jonë, menduam të ndihmonim të gjithë prindërit e tjerë për të zgjidhur dilemat e tyre për arsimimin e fëmijëve. Projekti në kokën tonë nisi nga çerdhja dhe për kryqytetin, por ditë pas dite përmes reflektimeve të shumta, diskutimeve të gjata dhe netëve pa ngjumë; hap pas hapi e zgjeruam idenë”- thotë Pezana për gazetën Si.

Kështu lindi Eduaktiv si një platformë që do të kishte brenda të gjithë informacionin e duhur për çerdhet dhe kopshtet.

https://www.youtube.com/watch?v=6NZ6e6uYvt0

Më pas, vazhdon të tregojë ajo, më lindi pyetja, “Sa e lehtë është të zgjedhësh profesionin e së ardhmes dhe Universitetin më të mirë? Këtë pyetje ia kam bërë unë vetes, shoqëria ime, gjithë brezat e mëparshëm dhe ata që do të vijnë. Por shqetësimi dhe dilemat janë njësoj edhe për shkollën 9-vjeçare dhe atë të mesme.”- thotë Pezana duke shpjeguar se pikërisht Eduaktiv ka vendosur të zgjidhë këto dilema duke ofruar një mekanizëm informimi, vlerësimi dhe krahasimi për të gjitha institucionet edukuese, arsimore që nga çerdhja deri tek Universiteti deri në daljen në tregun e punës të të diplomuarëve.

Sipas saj, Eduaktiv do të jetë "trip advisor"-i i parë në Shqipëri për institucionet arsimore që do të udhëzojë shumëkënd për të gjetur zgjidhjen e duhur në lidhje me arsimimin e më pas me punësimin.

Ndërsa Pezana është ajo që drejton projektin, truri teknik i tij është Laerti, i cili prej 10 vitesh punon në fushën e zhvillimit të programeve kompjuterike dhe krijimit të faqeve web kryesisht me klientë të huaj . Pezana është me profesion arkitekte, Laerti nuk e ka përfunduar shkollën e lartë.

I zhytur përpara ekranit të kompjuterit, ai kujton fillimin, me një rreth shumë të vogël njerëzish të njohur në zyrë, orët e gjata të diskutimeve për ti bërë gjërat sa më mirë dhe platformën sa më të dobishme, financat që nuk mjaftojnë asnjëherë sidomos kur një ide start up nuk mbështetet nga askush, por me kursime familjare dhe netët pa gjumë mbi karrike përpara problemeve që kërkonin zgjidhje. Laerti thotë se “sado që punonim për të gjetur zgjidhjet në lidhje me platformën, isha shumë skeptik. Ishte diçka më e madhe se unë, se të gjithë ne, por Pezana me eksperiencën e saj në punë të ngjashme ishte e bindur se kjo platformë do të ishte shumë e dobishme dhe e sukssesshme sepse kishte lindur nga nevoja”

Eduaktiv aktualisht ka një staf prej 6 personash që vijnë nga profesione të ndryshme, me personalitete unike, shpesh të çmendur, tregon Pezana, dhe që besojnë se do të sjellin më në fund transparencën në institucionet  edukimit.

Pezanën dhe Laertin, sëbashku me Ildën, pjesë të stafit, i takova në çeljen e Festivalit të Inovacionit 2018, ku merrnin pjesë mbi 300 persona nga Ballkani për të prezantuar idetë e tyre innovative.

Teksa Pezana priste për të prezantuar projektin tjetër të sajin, që është në treg prej pesë vjetësh (Pana, storytelling furniture), ne folëm për Eduaktivin.

“Ne nuk jemi të vetëm në këtë rrugëtim” – rrëfen ajo. Eduaktivit i janë bashkuar 10 mentorë, nga akademikë deri mësues me më shumë se 40 vite eksperiencë. “Ata i njohin problemet, gropat e sistemit arsimor dhe çfarë është më e rëndësishmja ata dinë si ti zgjidhin ato. Ata po na mësojnë ne zgjidhjet, kështu që ne jemi të gatshëm tua japim përdoruesëve tanë të platformës.”- sqaron Pezana.

Sipas saj, një data base i tillë i kompletuar është një guidë për institucionet arsimore që krijohet për herë të parë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë.

Në Eduaktiv janë listuar më shumë se 100 çerdhe dhe kopshte, 3000 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme dhe 1200 programe universitare.

“Në vetëm 6 muajt e parë ne kemi vlerësimet e para nga nxënësit dhe prindërit, madje edhe përshtypjet se si Eduaktiv po ndryshon dhe do të ndryshojë edhe në të ardhmen mënyrën se si prindërit dhe fëmijët do të bëjnë zgjedhjet e tyre në jetë.”- thotë Ilda, koordinatorja.

https://www.youtube.com/watch?v=WawK-1gKwrY

Eduaktiv do të jetë e aksesueshme për të gjithë përdoruesit pa pagesë, si për instutucionet, ashtu për prindërit dhe fëmijët.

“Ne dëshirojmë të mbetemi të paprekur nga fuqia ekonomike që disa institucione private kanë”-këmbëngul Pezana, por sigurisht thotë ajo, ne kemi nevojë për para tani dhe  në të ardhmen me zgjerimin e stafit.

Laerti mendon se Eduaktiv nuk mund të ndryshojë gjithë sistemin, të paktën tani për tani, dhe për këtë është i ndërgjegjshëm, por të paktën përmes teknologjisë synon të zvogëlojë gropën e problematikave.

Duke vijuar të më shpjegojë risitë e tjera të platformës, Pezana më tregon se Eduaktiv do të organizojë kurse të gjuhës shqipe on line për të ndihmuar shqiptarët, veçanërisht ata përtej kufijëve që përballen me barrierat e gjuhës.

“Në punën tonë për të mbledhur sa më shumë informacione për çerdhet dhe kopshtet në Republikën e Shqipërisë, ndër të tjera, jemi njohur edhe me problematikën që kopshti i Koplikut shfaq. Ky kopësht ka 18 vite që nuk ka qenë plan i asnjë investimi infrastrukturor apo me materiale, duke u amortizuar vit pas viti dhe duke u shndërruar në një ambjent që frymëzon të kundërtën e asaj për të cilën është krijuar.”- vijon të më tregojë Pezana. Prandaj, skuadra e  Eduaktiv ka marrë përsipër të ideojë dhe punojë për ofrimin e bazës materiale të këtij kopshti. Në kuadër të kësaj nisme, një fushatë fund raising do të ngrihet për të siguruar lëndën e parë, në mënyrë që të vijohet me punimin e materialeve të atij kopshti i cili ka 120 fëmijë. Çelja e fushatës thotë Pezana është ditën e premte, 21 shtator.

Pezanës i thirret emri dhe nga Eduaktiv nis prezantimin e Panës.

Pana, mobiljet që flasin

Pana është krijuar në vitin 2013 prej Pezanës dhe të atit të saj, në një moment determinant për të. Ajo në atë kohë ndihmonte fëmijët jetimë, kafshët e rrugëve dhe projekte të tjera vullnetare të ngjashme.

Në atë kohë i ati i Pezanës, i cili është ndarë nga jeta, doli në pension, por ishte aktiv për të punuar. “Duke mos dashur që im at ta kalonte kohën duke luajtur domino, vendosa të krijoj Panën si biznes social ku të punësojë personat e margjinalizuar dhe pensionistët, aktivë për të punuar”-thotë ajo.

Babai i Pezanës

Pana është e specializuar në prodhimin e mobiljeve unike me dru të ricikluar dhe në fushën e interior design.

Në fakt, çdo bar a restorant i ri që hapet në Tiranë, që ka stil dhe mbizotëron druri, ia atashojnë “Panës”.  Sepse “Pana” ka krijuar një identitet të sajin të pangatërrueshëm, unik, origjinal, të ngrohtë, të dashur, respekton natyrën dhe njerëzit që kanë më shumë nevojë. Është një biznes, por shumë, shumë social në të gjitha kuptimet e fjalës.

Pezana e thotë edhe vetë: “kam lindur për të punuar. Është e pashmangshme. Nuk kam çfarë të bëj. Është më e fortë se unë. Nuk është çështje prioritetesh. Më ka zgjedhur mua puna, jo unë punën”. Puna e parë e saj ka qenë që në moshën 14 vjeçare. Ka punuar si kamariere, më pas ka hapur një kopësht.  I është përkushtuar shumë çështjes së kafshëve. Ka qenë e para që ka hapur organizatën e parë të kafshëve në Shqipëri “ARA” – Animal Rescue Albania duke shkuar qytet më qytet për të sterilizuar së bashku me 2 veterinerë macet dhe qentë endacakë. Historia  e jetës së Pezanës deri më tani shënon punë, vetëm punë.

Por shumë gjëra kanë ndryshuar që prej fillimit të Panës këtu e pesë vite më parë: “Mënyra se si e kishim konceptuar në fillim ishte shumë më e thjeshtë. Mobiljet do të bëheshin nga paletet direkt, por nevojat e tregut na bënë të kuptojmë që nuk ishte një zgjidhje afatgjatë. Ishte thjesht një tendencë e momentit zgjedhja e mobiljeve me palete direkt. U detyruam të revolucionarizonim gjithë këtë industri. Dhe të bënim të mundur që përmes materialeve të mbetjeve drusore të ndryshme, jo vetëm përmes paleteve  të arrinim të bënim mobilje sipas kërkesave të klientit, pavarësisht se materiali është një mbetje, ne e përpunojmë atë që të sjellim një mobilje të re”- tregon Pezana duke shtuar që çdo mobilje ka një histori që rrëfen.

Pezana thotë se familjet janë pak më konservatore. “Të rinjtë janë ata që duan më shumë atë që ne bëjmë. Unë mendoj se jemi shumë mbrapa me familjet. Realisht të ardhurat tona vijnë 70 % nga bizneset dhe 30% nga familjet që është një hendek shumë i madh në krahasim me ndryshimet që bën çdo familje në shtëpitë e veta. Në këtë pjesë nuk është se kemi patur shumë sukses.”

Pezana identifikon se në rajon nuk ka projekte të ngjashme. Edhe në Europë, shpjegon ajo,  janë sporadike. “Edhe ato që janë nuk kanë arritur të ngrihen në këtë nivel.  Vendet nordike dhe Gjermania, Hollandë, Danimarkë në Europë janë ato vende që janë më shumë dashamirës ndaj këtyre projekteve.”

Ajo këmbëngulë se sigurisht që puna me dorë do të vazhdojë tek Pana. “Patjetër që po. 70 % e prodhimit është i tillë. Nëse ne do ta humbnim këtë, do të humbte vetë “Pana” si e tillë.”

Aktualisht Pana ka 350 m katrorë mjedis ku prodhohet, 500 klientë, 7000 ton mbetje druri, 17430 pemë të shpëtuara.

Pana ka 18 persona në staf dhe 10 artistë. Portofoli është i diversifikuar mes mobiljeve, suvenirëve, lodrave për fëmijë dhe interior design. Pavarësisht vështirësive ekonomike dhe financiare, Pezana thotë se synimi është eksporti.

Pana ka fituar dhjetra çmime jashtë kufijëve si ide innovative dhe ka prezantuar Shqipërinë ndërkombëtarisht.

Tek shkon në verandën e 15-katëshit për të tymosur dhe pirë kafenë pas prezantimit, i avitet një burrë gjerman, i cili dëgjoi prezantimin e saj gjatë festivalit dhe i kërkon të shkëmbejnë kontaktet.

Pezana shpreson që dikush të vazhdojë ti mbështesë financiarisht idetë dhe zhvillimin e kjompanisë së saj, sidomos, siç thotë ajo vlerat që mbart Pana.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë