Gazeta Si - Teksa në gjykatën e Elbasanit pritet që të mërkurën ose të enjten të mbahen masat e sigurisë ndaj tre spiunëve rusë (ashtu siç dyshon Prokuroria), autoritetet e kundër zbulimit, këmbëngulin për Gazetasi.al se operacioni ndaj spiunazhit rus po vijon ende.
Me bindjen se Mikhail Zotin, 23 vjeç, kimist, Svjetlana Timofeeva 33 vjeçe me emrin tjetër virtual, Lana Sators dhe Fiodor Mihailoviç 25 vjeç, ukrainas, gjendeshin në Shqipëri me detyrën për të kryer spiunazh, një burim i lartë ushtarak i tha Gazetasi.al, se gjatë këtyre ditëve që ata mbahen nën arrest, janë marrë në pyetje nga disa agjenci ligjzbatuese në vend.
Nuk janë vetëm provat e bllokuara në aparate që ekspozojnë fotografimin e “infrastrukturës kritike”, quajtur kështu nga shërbimi i fshehtë, disa baza ushtarake të tjera që tre “blogerët” e fshehtë i kanë shkrepur gjatë muajit gusht, por edhe pohimi i njërit prej tyre, i cili në fund është dorëzuar dhe ka konfirmuar misionin për spiunazh.
Burimi i Gazetasi.al, pranoi se tanimë kjo çështje është një histori ndërkombëtare, ku çdo veprim i kryer apo edhe deklaratë publike nga zyrtarët e lartë, nuk është dhënë dhe nuk jepet pa miratimin e ndërkombëtarëve.
“Secili nga tre spiunët që janë të kamufluar si blogerë, aventurierë, apo urbex tours, kishte rol të ndarë nga tjetri“, - shton ushtaraku i lartë për Gazetasi.al.
“Jo vetëm mënyra se si reagoi Mikhail Zorin, duke lëshuar spraj neuro-paralizues mbi ushtarakët, por edhe reagimi i mëpasshëm i dy bashkëpunëtorëve të tij la vend paraprak për bindjen se ata ishin spiunë”, - shton njëri nga anëtarët e grupit të gjerë hetimor.
Grup në të cilin bën pjesë jo vetëm Anti-terrori, por edhe Shërbimi Kombëtar Informativ dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë.
Pasi u zbuluan nga dy ushtarët e Uzinës Mekanike të Gramshit, dy të tjerët që prisnin me automjetin luksoz “Chevrolet” u larguan. Rusja 33-vjeçare u nda nga ukrainasi dhe secili po ikte në drejtime të ndryshme.
Vajza u përshkrua nga dëshmitarët teksa ikte në dukje e qetë me duart në xhepa dhe duke u shtirur e patrazuar, si një turiste e apasionuar pas maleve.
Edhe ukrainasi kreu të njëjtin veprim duke, “u arratisur” me “Chevrolet”, derisa u neutralizua nga ushtria dhe policia në zonën e Cërrikut, përsëritën burimet për Gazetasi.al.
Ndaj tyre bëhet me dije se rëndojnë tre akuza, që nga spiunazhi dhe informacionet sekrete dhe goditja për shkak të detyrës, ndërsa thuhet nga policia se nuk është paraqitur askush për t’i takuar.
Në këto kushte, të rinjve spiunë u është ofruar avokat kryesisht (falas nga shteti), me kushtin që çdo detaj që është pjesë e dosjes sekrete të mos përmendet prej tij dhe kjo është arsyeja që avokatët kanë firmosur ruajtjen e sekretit meqënëse njëri prej tyre ka folur, duke hedhur dritë mbi misionin në Shqipëri dhe në Ballkan.
"Është një mision spiunazhi, por e përsëris, që qëllimi është destabilizimi në një nga vendet e rajonit ndaj dhe në Shqipëri parametrat e sigurisë ushtarake kanë ndryshuar prej incidentit të rëndë të ndodhur në Gramsh ditën e shtunë”, - mbyll komentin ushtaraku i Shtabit të Forcave të Armatosura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.