Ngjarje

“Spiunët” e huaj shfrytëzuan pandeminë, Raporti i SHISH: Përhapën lajme të rreme e organizuan sulme kibernetike

Aktorë globalë joperëndimorë vepruan në Shqipëri përgjatë vitit të kaluar duke avancuar kryesisht përmes mediave online dhe rrjeteve sociale agjenda populiste e nacionaliste me përmbajtje propagandistike, keqinformuese kundër pandemisë dhe vaksinimit.

Kjo është gjetja e Shërbimit Informativ të Shtetit, që ka publikuar raportin publik numër 3 në lidhje me punën zbuluese të veprimeve të agjenturave të huaja në vendin tonë.

“Në shumë raste, në rrjetet sociale dhe mediat online janë bërë thirrje nga individë apo grupe të caktuara për të nxitur e frymëzuar pakënaqësi dhe reagim popullor kundër masave shtrënguese të marra nga qeveritë gjatë situatës së shkaktuar nga pandemia. Pasiguria dhe teoritë konspirative që karakterizuan rrjetet sociale dhe mediat online ndikuan në dobësim të perceptimit publik për një përgjigje kolektive ndërkombëtare e kombëtare të efektshme lidhur me menaxhimin e pandemisë”, thuhet në raport.

SHISH thotë se aktorët globalë jo-perëndimorë shfrytëzuan situatën e shkaktuar nga COVID-19 për synimet e tyre gjeostrategjike, forcimin e pozitës së tyre si aktorë ndërkombëtarë, përçarjen e kohezionit në BE/NATO dhe ndërkombëtar, si dhe kanë mbështetur narrativat e njëri-tjetrit në mjedisin informativ sipas synimeve të tyre.

Në raport nuk përmenden emra shtetesh të veçanta, por politikanë dhe analistë vendas e të huaj kanë ngritur përgjatë 2020 shqetësimin se Rusia, Kina e deri te Turqia po nxisin fushata dezinformuese në Ballkanin Perëndimor në përpjekje për të shkaktuar trazira dhe rritur influencën e tyre.

“Kriza shëndetësore globale u shfrytëzua për të promovuar agjenda përçarëse për t’u faktorizuar në arenën ndërkombëtare dhe për të rritur impaktin e aktiviteteve të tyre influencuese. Aktorët shtetërorë kundërshtarë shfrytëzuan interesin global të medias sociale rreth COVID-19 për të përhapur narrativat përkatëse, propaganduar superioritetin e tyre, në raport me shtetet demokratike, për të shënjestruar sistemet demokratike e për të sjellë argumente të reja që mbështesin pikëpamjet e tyre sipas synimeve përkatëse”, thotë raporti.

Kjo propagandë, thekson SHISH, përfshiu edhe çdo informacion të gjeneruar nga mediat perëndimore që theksojnë euro-skepticizmin në rritje, si dhe promovuan çdo lajm mbi modelet qeverisëse të tyre si superiore ndaj atyre perëndimore.

“Aktorë shtetërorë jo-perëndimorë dhe ata jo-shtetërorë që veprojnë për llogari të tyre, u angazhuan në fushata dezinformacioni dhe në lidhje me COVID-19, duke rënduar krizën dhe minuar përpjekjet për tejkalimin e saj, përfshi supozime se Perëndimi e ka krijuar virusin, se virusi është një armë biologjike, se BE-ja po dështon në menaxhimin e pandemisë, institucionet euro-atlantike nuk kanë kapacitete reaguese kolektive, se do të shpërbëhen nën këtë presion, etj”, theksohet në raport.

SHISH vëren se mediat online dhe rrjetet sociale u bënë përcjellëse te publiku i teorive konspirative dhe raportimeve false. “Përveç përdorimit të aseteve të tyre mediatike, apo mediave të financuara e orientuara prej tyre për të drejtuar fushata të shenjëstruara dezinformacioni, edhe shpërndarja jo e qëllimtë e informacionit fals dhe teorive konspirative në hapësirën online, ndenja e pasigurisë të publikut dhe nevojës për përgjigje lidhur me COVID-19, i favorizoi për të përhapur narrativat e tyre, propaganduar superioritetin dhe shënjestruar sistemet demokratike si të dështuara”.

Në morinë e teorive konspirative që karakterizuan situatën në shkallë globale, edhe në vendet e rajonit dhe Shqipëri, pati qarkullim të tyre në rrjetet sociale dhe mediat online, të cilat i përcollën në gjuhët vendase. Një numër teorish konspirative janë shpërndarë nga platforma propaganduese, sociale e mediatike, që reflektuan edhe publikimet në kanalet mediatike shtetërore dhe jo-shtetërore të vendeve jo-perëndimore, të regjistruara në këto vende, por edhe jashtë tyre, pa lidhje të qarta shtetërore.

“Shpërndarja e qëllimtë, por edhe për motive klikimi, nga llogari rrjetesh sociale, patën ndikim në perceptimin e publikut, me impakt në ulje të besueshmërisë për masat kundër COVID-19 dhe rrezikshmërinë reale të pandemisë. Hapësira online e vendeve të rajonit, por edhe vendit tonë, u bë shpërndarëse e këtyre narrativave”, thotë raporti.

SHISH vëren se pandemia shpejtoi përdorimin e diplomacisë agresive për të promovuar superioritetin e sistemeve politike autoritare në krahasim me ato demokratike përsa i takon menaxhimit të krizave.

“Mediat online dhe rrjetet sociale përcollën në gjuhët e rajonit këto narrativa, propagandën për “menaxhimin efikas të pandemisë”, qasjen e tyre humanitare ndaj vendeve të rajonit, me kujdesje të pasqyrimit të tyre si ndihma humanitare ndaj popujve të rajonit, etj. Platformat online kanë luajtur rolin e shumëfishuesve të propagandës e dezinformacionit, duke bërë të mundur ndërlidhjen e audiencës shqipfolëse me operacionet informative”, thotë raporti.

Objektivat kryesore të operacioneve informative të këtyre aktorëve, sipas SHISH, janë nxitja dhe amplifikimi i ndasive politike, sociale, etnike, fetare; minimi gradual i besimit në proceset, në sistemin demokratik, institucionet kombëtare e ndërkombëtare; përçarja e kohezionit kombëtar dhe midis vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së; manipulimi i perceptimit publik mbi to dhe paraqitja e modeleve të tyre qeverisëse si të suksesshme në menaxhimin e situatës në raport me shtetet perëndimore dhe organizmat ndërkombëtare.

Kërcënimet kibernetike në situatën e krijuar nga Covid 19

SHISH vëren në raport se pandemia COVID-19 dëshmoi se si një situatë me vëmendje kaq të madhe publike e ndërkombëtare mund të përdoret nga aktorët kibernetikë shtetërorë dhe jo-shtetërorë për spiunazh kibernetik, aktivitete infuencuese dhe krim kibernetik.

“Aktivitetet online, shtetërore dhe jo-shtetërore, u përdoren edhe nga aktorët shtetërorë dhe krimi kibernetik si vektorë të rinj sulmi, për të arritur synimet e tyre. Risku i sulmeve kibernetike ndaj institucioneve në sektorët shëndetësorë, bankarë, të telekomunikimit dhe entiteteve politike vendimmarrëse, u rrit ndjeshëm. Aktorët kibernetikë shtetërorë e jo-shtetërorë që veprojnë për llogari të tyre, kanë shfrytëzuar pandeminë e COVID-19 edhe për të grumbulluar inteligjencë, me synim influencimin e opinionit publik sipas interesave të tyre. Shërbimet e inteligjencës së këtyre vendeve u angazhuan në operacione informative, grumbullim informacioni për synime konkurruese gjeostrategjike”, thotë raporti.

Raporti publik citon sse kriminelët kibernetikë dhe shtete ose aktorë kibernetikë të mbështetur nga shtete, përdorën krizën, duke shfrytëzuar frikën e popullatës dhe nevojën për informacion, për të arritur qëllimet e tyre, duke përdorur fushata që lidhen me COVID-19.

“Puna e shtuar online e institucioneve shtetërore por edhe private, për shkak të situatës, dhe niveli i sigurisë që shpesh është më i ulët për shkak edhe të kohës së vogël në dispozicion për të përforcuar masat mbrojtëse, mundësuan vektorë shtesë sulmesh. Aktorët jo-shtetërorë dhe hakera kriminalë e shfrytëzuan situatën për aktivitete përfitimi”, thueht në raport.

SHISH-i bashkëpunon me autoritetet përgjegjëse për kërcënimet kibernetike dhe sugjeron, sipas specifikave të evidentuara, marrjen e masave përforcuese të sigurisë për mbrojtjen e rrjeteve elektronike nga sulme të mundshme kibernetike, qoftë për motive spiunazhi kibernetik, por edhe motive krimi kibernetik. “Kalimi në shërbimet online në shumë sektorë bankarë e ekonomikë, do të rritë edhe kërcënimet kibernetike ndaj tyre. Çdo projekt digjitalizimi duhet shoqëruar me masat e duhura mbrojtëse”, thekson SHISH.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë