Shendet

‘Spitali më i madh psikiatrik ndodhet në burgje’

Në Shqipëri numri i të sëmurëve me probleme të shëndetit mendor është në rritje ku depresioni zë vendin e parë. Anketa e përbashkët e INSTAT dhe ISHP-së më 2018 gjeti se 60-70 për qind e të anketuarve gra dhe 57% e burrave pohuan se kanë kaluar një përvojë depresioni gjatë dy javëve para studimit. Nga këto 13% e grave dhe 18 meshkujve të moshës 15-59 vjeç ishin shumë depresiv . Por trajtimi i këtyre sëmundjeve është shqetësim i madh pasi mungojnë shërbimet.

Kambanës së alarmit i ka rënë  në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë, shefi i shërbimit të psikiatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, Ariel Çomo i cili tha se “spitali më i madh psikiatrik nuk është ai në QSUT, por në burgje, i cili numëron 320 pacientë.”

Sipas tij, në këtë spital ka dhe ekipe të specializuara me psikologë, psikiatër, punonjës socialë, ndërsa në shërbimin publik ka ndodhur e kundërta.

Çomo tha se në 20 vitet e fundit, me implementimin e rekomandimeve të OBSH dhe Këshillit të Evropës, në shërbimin e Psikiatrisë në QSUT dhe në spitalet rajonale u reduktua numri i shtretërve.

Shqipëria ka numrin më të vogël të shtretërve dhe psikiatërve për 100 mijë banorë. Në 20 vitet e fundit në spitalin e Psikiatrisë në QSUT janë reduktuar shtretërit kurse në spitalin e burgjeve, nga 4 pacientë në vitin 1996, sot numërohen 320, duke e bërë këtë spital, më të madhin në vend.

Shefi i shërbimit të psikiatrisë tha se mungesa e shërbimeve lidhet dhe me mungesën e stafeve të specializuara sepse të gjithë ata që diplomohen në fakultet, punësohen në spitalin e Burgjeve.

“Duhet të dimë diçka, kuotat janë reduktuar ndjeshëm me mbylljen e shtretërve pasi të rinjtë zgjedhin degë që kërkon tregu. Sot ka 45 kuota të lira për Mjekësi Familje dhe kërkesat janë 0. Sot çdo gjë që prodhojmë në universitete, psikologë, psikiatër, i punëson sistemi psikiatrik brenda burgjeve”, tha Çomo.

Ai theksoi se nëse nuk ndërhyhet sot për të rregulluar këtë ngërç, në 20 vitet e ardhshme do të kemi një situatë edhe më kaotike.

“Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se në shëndetin mendor, çdo gjë që ndërhyhet sot nuk e jep efektin nesër por pas 10-20 vitesh.

Sipas Çomos duhen shtuar stafet e specializuara, plotësimi i spitaleve në rrethe me ekip të plotë, duhen ndërtuar pavijone brenda spitaleve rajonale dhe duhet investuar për hapjen e të paktën150 shtretërve në shërbimin publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë