Komunitet

Çfarë po i “çmend” shqiptarët ?!

Nga Sabina Veizaj – Gazetarja dhe shkrimtarja italiane  e luftës së Vietnamit Oriana Fallaci do të shkruante në një nga librat e saj: “Tepër e çuditshme se si dhembja e shpirtit nuk kuptohet. Nëse merr një plumb të gjithë fillojnë e ulërasin “shpejt thërrisni ambulancën”, nëse thyen një këmbë të vendosin allçi, nëse je ftohur, të japin ilaçe. Nëse e ke zemrën copë e je shumë i dëshpëruar saqë nuk arrin të hapësh as gojën, nuk e vë re njeri fare. Por sëmundja e shpirtit dhe mendjes është një sëmundje më e rëndë se këmba e thyer dhe e ftohura, plagët janë shumë më të thella dhe të rrezikshme se të një plumbi. Janë plagë që nuk shërohen ato, plagë që me pretekstin më të vogël nisin të rrjedhin gjak.”

Në çfarëdo konteksti ta ketë shkruar Fallaci, kuptimi është i qenësishëm edhe sot.

Sipas të dhënave në sistemin shëndetësor parësor në Shqipëri në një vit kryhen mesatarisht 15.000 vizita, persona që kërkojnë ndihmën e mjekëve psikiatër për shkak të çrregullimeve dhe problemeve të shëndetit mendor.

Vlerësohet se 1 në 4 persona ka probleme të shëndetit mendor dhe më të rrezikuarit nga depresioni janë të rinjtë dhe të moshuarit.

Sipas specialistëve, gjatë sezonit të verës ka rreziqe më të mëdha për personat që vuajnë nga shëndeti mendor.

Vetëm në spitalin psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan paraqiten çdo ditë 20-50 raste të referuara nga qendrat komunitare.

Si është trendi (të dhëna në vite)

Por nga dhembja e shpirtit të Fallacit , në Shqipëri vuhet edhe më shumë për shkak të pamundësisë dhe aftësisë së vogël për kurim, ose të paktën për të zbutur situatën.

Sipas të dhënave zyrtare shërbimi spitalor i specializuar për shëndetin mendor është i përqendruar në Qarkun Vlorë dhe Elbasan me spitale të veçanta. Në Qarkun Shkodër dhe Tiranë shërbimi për shëndetin mendor përfshihet brenda shërbimit spitalor. Pjesë e këtij shërbimi janë qendrat komunitare të shëndetit mendor dhe shtëpitë e mbështetura.

Por në vitin  2017  të dhënat tregojnë  se në Shqipëri numri i mjekëve psikiatër është zvogëluar. Edhe numri i infermierëve në shërbimin e kujdesit shëndetësor mendor ka rënë.

Megjithëse rastet janë shtuar numri i psikologëve ishte po njësoj sa në  2016, gjithësej15 të tillë.

Në rang global sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë numri i psikiatërve për 100 000  banorë ndryshon shumë: nga 30 për 100 000 në Zvicër dhe 26 në Finlandë  dhe vetëm në 3 në Shqipëri.

OBSh vlerëson se shkalla e kombinuar e shtretërve psikiatrikë për 100 000 banorë në njësitë spitalore psikiatrike të komunitetit është 72 por në Shqipëri më pak.

Normat e pranimeve në spitale për 100 000 banorë variojnë nga 1301 në Rumani dhe 1240 në Gjermani por në Shqipëri  ndodhin në 87 pranime. Sipas të dhënave numri i shtretërve spitalorë në vendin tonë nuk ka ndryshuar gjatë tre viteve të fundit.

Shkalla  mesatare e vizitave në të gjitha ambientet ambulatore për 100 000 banorë sipas OBSH është  6,596 (max 28, 200 në Sllovaki) por në  Shqipëri rezultati është të paktën 5 herë më i vogël.

Ndoshta numri i shqiptarëve të shqetësuar apo me probleme të shëndetit mendor mund të ishte më i madh sesa shifrat zyrtare dhe pamundësia për t’ju përgjigjur me mjekë dhe infrastrukturë është edhe më e madhe. Por “fatmirësisht” për qeveritë dhe fatkeqësisht për qytetarët, mjekët thonë se shqiptarët e kanë të sikletshme të vizitohen kur kanë shqetësime psikike. “Megjithatë trendi është në rritje , dhe duket se edhe ne po e thyejmë tabunë e turpit”, thotë psikiatri Neli Demi.

Shkaqet....

Psikiatri Neli Demi i ndanë në tre grupe faktorët. Disa janë gjenetikë, të tjerët  mund të kenë predispozitë individuale p.sh  fëmijëri të vështirë, abuzime seksuale, neglizhencë prindërore, edukimi, etj. Të tjerë faktorë lidhen me  ngjarje të rëndësishme në jetën e individit, ngjarje të forta,  qofshin pozitive apo negative që kërkojnë nga individi të mobilizojë gjithë burimet e brendshme që disponon. Psikiatri Demi merr shembull lindjen e një gruaje që cilësohet si ndryshim i madh në jetën e individit.

Sipas tij, në një person të predispozuar për të zhvilluar depresion, lindja është faktor kryesor. Gjithashtu edhe fillimi i një pune të re, i një shkolle, humbja e një njeriu, ndarja,varësia nga drogërat dhe alkooli etj. Por jo tek gjithkush këto ngjarje shkaktojnë të njëjtin reagim .

Ndërsa faktorët të tjerë  kanë të bëjnë me situata të gjata në kohë që e ushqejnë sëmundjen mendore pasi ajo është shfaqur; siç mund të jenë problemet social-ekonomike, varfëria kronike, problemet ambientale, marrëdhëniet e ngushta disfunksionale,varësia nga drogërat dhe alkooli, sëmundjet kronike fizike që shoqërohen me dhimbje të forta.

Ekspertet Rajonalë të Shëndetit në Shkodër kanë ndërmarrë një studim për të shtruarit në spitalin Rajonal me çrregullime mendore viteve  2005-2015. Nga studimi ka rezultuar se  prevalenca është shumë e lartë me mbi 3700 të sëmurë për 100,000 persona.

Studimi thotë se faktorët të cilët kontribuojnë në problemet e shëndetit mendor janë kushtet e varfërisë dhe stresi kronik. Gjithashtu përjashtimi social, i përforcuar nga aksesi i dobët në arsim është vlerësuar një faktor madhor që çon në çrregullime mendore.

Ndryshe nga ç’paraqet trendi botëror,ku femrat preken më shumë nga sëmundjet mendore, në Shkodër ishin burrat (59.9% burra dhe 40.1% femra).

Më frikacakët në Ballkan..

Barometri i Ballkanit që bëri publik gjetjet e fundit rreth një javë më parë na tregoi se në shqiptarët frikë më të madhe kemi varfërinë. Ai është edhe stresi ynë më i madh. Madje ne jemi më frikacakët në Ballkan sa herë që bëhet fjalë për varfërinë. Referuar Barometrit të Ballkanit 2018 rezulton se 33% e të anketuarve shqiptarë kanë pohuar se kanë frikë që mund të bien në varfëri dhe kjo është përqindja më e lartë në rajon dhe shumë më e lartë sesa mesatarja rajonale prej 24%. Në Kosovë, indeksi është 26%, në Mal të Zi 21%, Maqedoni 27%, Bosnjë 20%, Serbi 21%.

Varfëria në Shqipëri përkthehet me nënvlerësim nga shoqëria. 17% e të anketuarve shqiptarë pohojnë se ndihen të përjashtuar nga shoqëria, indeksi më i lartë në rajon dhe 15% pohojnë se i shohin si inferior për shkak të situatës së tyre me të ardhurat dhe punën.

31% e shqiptarëve kanë frikë nëse do të arrijnë të mbajnë vendin e punës në 12 muajt e ardhshëm, që është përqindja më e lartë në rajon.

85% e shqiptarëve mendojnë se diferenca mes të pasurve dhe të varfërve është rritur në ekonominë e tyre.

33% e shqiptarëve mendojnë se ata kanë një status ekonomik-social, që është nën mesataren, të parët në Ballkan së bashku me serbët.

Pasoja fatale ....

Në vitin 2016, i riu 30 vjeçar Jorgo Zani, i sëmurë mendor masakroi nëj 12-vjeçar, me të cilin kishte edhe lidhje gjaku. Pas vrasjes së të miturit në atë kohë, Zani vazhdoi me dhunimin e trupit të tij, duke i prerë kokën. Dëshmitë treguan dy vjetë më parë se Zani dërgohej shpesh në spitalin psikiatrik të Vlorës ku qëndronte 5 ditë dhe nxirrej sërish.

Papërgjegjshmëri totale dhe pamundësi që  prodhuan një tragjedi të rëndë që mund të fusë në zinxhirin e çmendurisë të tjerë njerëz


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë