Shendet

Spitalet e Nju Jorkut: Jemi të papërgatitur për Covid-19

Dy rrjetet më të mëdha të spitaleve në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklarojnë se nuk janë gati që të presin një fluks të madh pacientësh nëse pandemia e koronavirusit përhapet me këto ritme në vend.

“City’s Health & Hospitals Corporation” dhe “New York Presbyterian Hospital” njoftuan se po planifikojnë që të shtyjnë për një moment të dytë ndërhyrjet kirurgjikale joemergjente, për t’u hapur ambientet pacientëve që po shtohen vazhdimisht me probleme me rrugët e frymëmarrjes.

Megjithatë, “New York Times” thotë se këto masa sërish mund të jenë të pamjaftueshme dhe të ngadalta për t’u bërë gati në kohë për përballimin e një shpërthimi të mundshëm të pacientëve me koronavirus. Në Nju Jork situata nuk është ende alarmante, por trendi i përhapjes së virusit në shtetet e tjera amerikane i kanë detyruar autoritetet vendore që të marrin disa masa të moderuara.

“Nuk jemi të përgatitur që të përballemi me një fluks pacientësh në rritje dhe në një kohë të shkurtër. Thjesht nuk jemi. Jemi duke e menduar se çfarë do të ndodhë, si do të sillemi, çfarë masash do të marrim, por nuk e planifikojmë dot kohën nëse do të ndodhë pas një muaji, apo pas dy javësh”, thotë profesori Christopher Tedeschi nga Qendra Mjekësore e Universitetit të Kolumbisë.

Nju Jorku është epiqendra e shpërthimit të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në ditët e fundit është vënë re një rritje e fortë infektimeve të reja për arsye se virusi po përhapet dhe numri i testimeve është shtuar. Vdekja e parë nga virusi në Nju Jork u raportua këtë të shtunë, një grua 82 vjeç nga Manhatani.

Autoritetet thanë se gruaja kishte një kartelë të rënduar mjekësore me disa ndërhyrje në të shkuarën dhe probleme të tjera në rrugët e frymëmarrjes. Nju Jorku ka raportuar 524 raste të konfirmuara me koronavirus, mbi 100 në krahasim me një ditë më parë.

Ndërkohë, pas shpalljes së emergjencës kombëtare, Presidenti amerikan, Donald Trump zgjeroi hartën e vendeve që u ndaloi fluturimet në drejtim të SHBA duke përfshirë edhe Britaninë e Madhe dhe Irlandën. Në total është 28 numri i vendeve europiane që janë vendosur në këtë listë të zezë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë