Ngjarje

“Spidermani” i protestës para gjykatës: Protestoj si më vjen

Është 28 vjeç. Quhet Urim Shabani. Ai u arrestua gjatë protestës së 2 qershorit mes më shumë se 40 të rinjve, të cilët u panë dhe u filmuan duke hedhur lëndë piroteknike ndaj policisë. Ndaj tij nuk pati akuzë për vepra të dhunshme. Por sepse ishte spiderman, përderisa ai hyri në brendësi të institucioneve, duke u kacavjerrë në mënyrë të habitshme dhe pa asnjë shkallë. Për Urimin ishte hera e parë që merrte pjesë në një protestë. Në datën 2 qershor fotografia e tij në dritaren e Kryesisë së Kuvendit u bë aq virale sa nuk i shpëtoi edhe humorit në rrjet, ku disa e përshkruanin si spiderman e disa të tjerë si protestuesin që sfidoi kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçin.

Urim Shabani në 2 qershor duke u ngjitur në godinën e Kryesisë së Kuvendit

Në memet pas protestës, i riu nga Klosi shfaqet këmbëkryq në dritare dhe me dy gishtat ndërkohë që përbri tij në dritaren ngjitur vendosej në foto edhe Gramoz Ruçi. Erdha në protestë thotë i riu sepse nuk kam punë dhe për rrjedhim asnjë një shpresë nuk kam nga kjo qeveri. Dy vëllezërit e tij janë larguar dhe punojnë në të zezë në Francë, ndërkohë që në shtëpinë e tij i vetmi që sjell para për të blerë bukën është vetëm i ati. “Babai im punon në minierë, mua s’më merr kush në punë megjithëse kam kërkuar shpesh”, thotë ai për Gazeta Si. Po pse hipi në dritare? Urimi tregon: "Ishte diçka që më erdhi si mendim i beftë. U ngjita dhe mbi dritare, bëra shenjat me gishta. Pastaj sa hyra brenda në godinë, aty më prisnin oficerët e policisë. Menjëherë pashë në ekrane veten time. Por unë dola nga ajo godinë me pranga në duar. Isha i pari protestues që arrestuan atë ditë".

A do marrë më pjesë në protestën tjetër?
"Po, sigurisht që do jem prapë. Dhe prapë do ngjitem në dritare. Jam kundër dhunës, unë protestoj si më vjen. S’më ka thënë askush eja në protestë, pashë datën në televizor dhe u nisa për në Tiranë", - shpjegon i riu, i cili duke qeshur tregon prangat.

Gjykata e Tiranës vendosi për Urimin masën “detyrim paraqitje”, pasi me shfaqjen në dritaren e Kryesisë së Kuvendit nuk konkludohet të ketë kryer ndonjë vepër penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë