Ngjarje

Spektakël fishekzjarresh, Viti i Ri mbërrin në disa vende të botës (video)

Viti i Ri 2020 ka hyrë zyrtarisht në disa vende të globit. Prej vitesh tashmë ishulli i vogël i Samoas, me më pak se 200 mijë banorë, është i pari që çel festimet dhe kjo që prej 29 dhjetorit 2011, kur zgjodhi që ta kapërcente kufirin e datës së Paqësorit, duke e çuar 24 orë përpara. Fishekzjarrët për të mirëpritur Vitin e Ri shpërthyen mbi kryeqytetin samoan, Apia për vendasit dhe turistët, të cilët e vizituan këtë ishull për të qenë përpara gjithë të tjerëve në planet për të hyrë në vitin e ri 2020. Bashkë me ishullin e Krishtlindjeve, Kiribatin, janë të parët që pritën vitin 2020. Të dytët në listë për trokitjen e Vitit të Ri ishin Ishujt Catham, e pas tyre, Suva e Willingtoni.

Viti i Ri ka trokitur edhe në Zelandën e Re, me një spektakël të jashtëzakonshëm fishekzjarrësh në Auckland. Spektaklet zhvillohen njëherësh në dy prej objekteve ikonë, Sky Tower dhe Harbour Bridge.

Festa u zhvendos 2 orë më vonë dhe pasi ka mbërritur fillimisht në një rajon të vogël të Rusisë, 2020 mbërrin në pjesën më të madhe të Australisë, duke nisur nga Melburni, Sidnei e Kanberra. Sidnei, që si përherë e pret Vitin e Ri përpara metropoleve të tjera nëpër botë, e nis spektaklin e tij madhështor të fishekzjarrëve 16 orë përpara rënies ikonë të sferës së kristaltë në Nju Jork. Edhe pse fillimisht u përfol që do të ndaloheshin fishekzjarrët, në momentin e fundit, u vendos që të përdoreshin.

Në Rusi, disa nuk kanë pritur mbërritjen e vitit të ri, por i kanë nisur kremtimet me zhytje në ujërat e akullta në një plazh të Vladivostokut. Në Londër, turma të mëdha njerëzish do ta presin ndërrimin e viteve në brigjet e lumit Tamiz; ndër vendet e fundit të globit që presin trokitjen e vitit të ri do të jenë ishujt amerikane Baker dhe Hauland Island, ku 2019-ta mbërrin mesditën  e 1 janarit me orën evropiane

https://www.youtube.com/watch?v=iUwTPzbaQlY&feature=emb_title

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë