Lojëra me Dore

Spanjë e artë në Pekin, shpallet kampione bote në basketboll

Në Pekin triumfojnë “Furitë e kuqe”. Spanja është kampione bote në basketboll për meshkuj, pasi ka mundur 95-75 Argjentinën e Skolës me shokë. Trajneri italian i iberikëve, Skariolo, pas triumfit me Raptors në NBA, fiton edhe titullin kampion bote në krye të Spanjës, kurse Rubio shpallet lojtari më i mirë i turneut.

Një kryevepër e Spanjës në finale, pasi kishte hequr qafe Serbinë pretendente në çerekfinale. Triumf i një skuadre që u rrit me kalimin e ndeshjeve në Botërorin e Kinës. Një arritje historike për Mark Gasol dhe Rudi Fernandez, pas suksesit të 2006-ës. I pari, me shumë inteligjencë, ka udhëhequr mbrojtjen (14 pikë, 7 ribaunde, 7 asiste), ndërsa i dyti ka fituar në të njëjtën kohë titullin në NBA dhe Botërorin. Historike edhe për Riki Rubion, i zgjedhur lojtari më i mirë i Botërorit. Argjentinës së Luis Skolës i mbetet shija e hidhur e gabimit në një ndeshje të vetme, por në më të rëndësishmen.

https://twitter.com/BaloncestoESP/status/1173246902911098881
Spanja ngre lart trofeun e kampionit në Botërorin e Kinës. Gazeta Si, 15 shtator 2019

Mbrojtja është çelësi i suksesit të Spanjës, një skuadër e kolauduar, pavarësisht ndërrimit të gjenerateve. Nuk ka një hero të vetëm. Të gjithë kanë bërë më të mirën, Rubio, Gasol, Fernandez, Lul e kështu me radhë. Lot tek Argjentina, që zhvilloi një Botëror të jashtëzakonshëm, por dështoi në momentin final. Nisja e Spanjës ishte monstruoze, 14-2, më pas reagim i Argjentinës, por pa pasur forcën për ta përmbysur ndeshjen. Skuadra e trajnerit Skariolo kontrolloi gjithçka me shumë kujdes, duke ruajtur distancën dhe në fund e ka merituar plotësisht medaljen e artë.

Spanja: Rubio 20 pikë, Lul 15, Gasol 14
Argjentina: Dek 24 pikë, Laprovitola 17, Kampazo 11


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë