Gazeta Si – Spanja është kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Portugalinë me rezultatin minimal 1-0 në përballjen e zhvilluar në Dallas. “La Roja” i dha fund aventurës së Cristiano Ronaldos në turne, falë një goli të shënuar në minutat shtesë.
Ndeshja ishte e luftuar dhe shumë e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që krijuan raste për shënim. Portugalia iu afrua golit në pjesën e parë, kur Nuno Mendes goditi traversën, por fati nuk ishte në anën e luzitanëve.
Vendimtare rezultuan lëvizjet e trajnerit Luis de la Fuente në minutat e fundit. Ferran Torres, i aktivizuar nga stoli, dhuroi një asist të shkëlqyer, ndërsa Mikel Merino, gjithashtu i futur si zëvendësues, shënoi golin e fitores në minutën e 91-të, duke vulosur kualifikimin e spanjollëve.
Me këtë sukses, Spanja siguron një vend mes tetë skuadrave më të mira të Botërorit dhe në çerekfinale do të përballet me fituesin e duelit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Belgjikës. Ndërkohë, për Portugalinë dhe Cristiano Ronaldon, rrugëtimi në Botërorin 2026 përfundon në fazën e 1/8-ave.

Belgjika ka siguruar një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti me rezultatin bindës 4-1 Shtetet e Bashkuara në stadiumin e Seattle.
Ndeshja u zhvillua mes polemikave për pezullimin e dënimit të sulmuesit të SHBA-së, Folarin Balogun, por në fushë ishte Charles De Ketelaere ai që bëri diferencën. Mesfushori belg realizoi dy gola, në minutat e 9-të dhe të 33-të.
Amerikanët rikthyen përkohësisht baraspeshën me golin e Malik Tillman në minutën e 31-të, por Belgjika reagoi menjëherë. Në pjesën e dytë, Hans Vanaken shënoi për 3-1 në minutën e 57-të, ndërsa Romelu Lukaku vulosi fitoren me golin e katërt në minutën e 93-të.
Me këtë sukses, Belgjika avancon në çerekfinale, ku do të përballet me Spanjën për një vend në gjysmëfinalet e Botërorit 2026.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje