Spanja do të fillojë së shpejti lehtësimin e masave aktuale të bllokimit, për të zbutur efektin e pandemisë së koronavirusit në vend. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Pedro Sanchez, i cili tha se Spanja e kishte arritur pikun e epidemisë dhe se numri i të infektuarve po vinte duke u ulur.
“Ne kemi arritur kulmin dhe tani fillon de-përshkallëzimi i masave,” tha Sanchez përpara Parlamentit Spanjoll, i cili ishte gati i zbrazët, pasi shumica e ligjvënësve po punojnë nga shtëpia.
Ai paralajmëroi megjithatë, se rikthimi në jetën normale do të ishte “gradual”, në përputhje me ashpërsinë e krizës shëndetësore.
“Ngjitja ka qenë e vështirë, ashtu siç do të jetë edhe zbritja”, tha ai. “Ne po përballemi me kërcënimin më të madh për shëndetin publik të planetit që nga gripi i vitit 1918,” tha Sanchez, duke sqaruar se kthimi në jetën normale do të ndodhte hap pas hapi.
Kryeministri Spanjoll u tha deputetëve të opozitës se qeveria e tij po “punon në një plan” për të sjellë ngadalë vendin në “normalitet”, por paralajmëroi se “asnjë lider as nuk mund ta dijë se në çfarë lloj normaliteti do kthehemi. “

Spanja ka qenë vendi i dytë më i prekur në botë nga pandemia koronavirusit deri më tani, pas SHBA-së.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet e shëndetit në vend, brenda 24 orëve si pasojë e koronavirusit kanë humbur jetën 683 persona. Numri total i personave që e kanë humbur betejën me virusin është rritur në 15,238, njoftoi Ministria spanjolle e Shëndetësisë
Ndërsa gjatë orëve të fundit, vendi ka regjistruar 4,226 të infektuar me koronavirus, duke bërë që numri total për të gjithë shtetin të rritet në 152,446.
“Zjarri po fillon të vihet nën kontroll”, përfundoi kryeministri spanjoll.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




