SPAK ka kërkuar 12 vite burg ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, i akuzuar për trafik droge në bashkëpunim, por në bazë të gjykimit të shkurtuar i reduktohet në 8 vjet dhe për 3 vite të mos kryejë asnjë funksion publik. Pretenca e SPAK ka kërkuar gjithashtu 12 vite burgim edhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çelën. Vendimi per Tahirin do te merret te premten me 4 shkurt.
Në seancën që u mbajt këtë të hënë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, prokuroria i qëndron akuzave që ka bërë edhe në shkallën e parë, duke kërkuar dënimin e Tahirit me 8 vite burg.
Ndërkohë që vetë Tahiri dhe avokati i tij mbrojtës, Maks Haxhia janë shprehur se nuk iu është paraqitur asnjë provë të re, duke lexuar konkluzione që janë thënë edhe më herët.
Nga ana e tij, vetë Tahiri pretendon se nuk ka asnjë lidhje me grupin e Habilajve, për të cilët akuzohet se ka bashkëpunuar në trafikun e drogës.
Si avokati dhe klienti i tij i kërkuan SPAK pushimin e çështjes ose pafajësi për këtë çështje. “Nuk kam asnjë bashkëpunim me personat e akuzuar, Prokuroria nuk ka vërtetuar akuzën ndaj meje, - u shpreh Tahiri në seancë. - Dua t’ju kërkoj me shumë përulje që të bëni atë që duket nga provat dhe faktet se është më e drejtë. Kërkoj të më shpallni të pafajshëm".
Pas përfundimit të kësaj seance, është vendosur që gjyqi i radhës, ku do të jepet edhe vendimi për Tahirin të shtyhet për në datën 4 shkurt në orën 13:00.
Ndërsa në fjalën e tij, Jaeld Çela tha: “Në të gjithë dosjen janë katër episode. Unë në detyrë kam ardhur më 5 shtator 2014 dhe më 28 prill 2017 u largova nga detyra. Nga të gjitha këto episode akuzohem për dy raste, për Treblovën që ndoqa operacionin. Nuk e kuptoj ku e kam shpërdoruar detyrën. Gjykata thotë se gjatë kohës që isha drejtor i policisë së Vlorës, kultivimi në masë më bën përgjegjës, por gjatë asaj kohe s’ka asnjë rast trafikimi. Më akuzojnë për peshkarexhën “Fatima” dhe hetimi u krye në Itali. Shteti shqiptar ka zero dijeni, zero informacion nga pala shqiptare, - tha ish-zyrtari i lartë i Policië së Vlorës.
Sajmir Tahiri, u akuzua fillimisht për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal, por u dënua nga gjykata për “shpërdorim detyre” me 3 vite shërbim prove. Gjykata e Posaçme riktheu për rishqyrtim dosjen e ish-ministrit Tahiri, pasi konstatoi parregullsi në proces.
Gjykata e Lartë i dha një fitore proceduriale ish-ministrit, duke pranuar kërkesën e tij për të rikthyer çështjen në apelin e GJKKO me trupë të re gjykuese.
Ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj , të afërm të Tahirit.
Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi këtë kërkesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.