Politike

SPAK refuzon vettingun e politikës: Na shpërqëndron, ashtu siç bëri OFL

Kuvendi ka dëgjuar kreun e SPAK, Arben Kraja në lidhje me nismën e Partisë Demokratike për vettingun në politikë, që sipas propozimit të opozitës ja ngarkon pikërisht strukturës së posaçme antikorrupsion filtrimin e politikanëve.

Por, kreu i prokurorëve të posaçëm e kundërshtoi. Ai tha se ky do të ishte një proces i lodhshëm dhe do të rriste ndjeshëm ngarkesën e SPAK, që edhe pa këtë proces është i mbingarkuar me dosjet hetimore që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Formalisht i ngarkon prokurorisë detyra të tjera, por këto nuk duhet të pengojnë thelbin e punës së prokurorisë që është ndjekja penale. Është një ngarkesë e jashtëzakonshme pune. Jam kundër përfshirjes së Prokurorisë së Posaçme në këtë proces administrativ”, tha Kraja.

Për herë të parë, kreu i SPAK foli me doza kritike ndaj Operacionit Forca e Ligjit, që u ndërmor gjatë vitit 2020, ku me anë të një akti normativ policia u kërkoi personave të dënuar e të akuzuar që të justifikonin pasurinë e tyre në Gjykatën e Posaçme.

Kraja u shpreh se OFL shpërqëndroi punën e Prokurorisë së Posaçme. Ai e solli këtë operacion si shembull për të kundërshtuar idenë e vettingut nga SPAK.

“Ne kemi kaluar një eksperiencë negative me OFL-të. Ishte një detyrë e ngarkuar me ligj që na shfokusoi nga objekti i punës tonë. Prandaj do ta vlerësoja të papërshtatshme përfshirjen e SPAK në këtë proces”, u shpreh ai.

Sipas kreu të SPAK, vettingu në politikë është më shumë një proces administrativ, që përfshin rreth 200 subjekte dhe nënkuptoi se këtë detyrë mund të kryejnë fare mirë organe të tjera administrative.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë