Politike

SPAK nuk pranon padinë për shpifje të Olsi Ramës ndaj Gazmend Bardhit

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK nuk ka pranuar padinë e Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, ndaj Gazment Bardhit, i cili akuzohej për shpifje, sa i takon disa akuzave se Olsi Rama ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës, në dosjen Xibraka.

Sipas Prokurorit të SPAK, Elvin Gokaj, nuk ka asnjë shpifje dhe asnjë kallëzim të rremë nga Bardhi për Olsi Ramën, pavarësisht pretendimit të këtij të fundit.

Olsi Rama, drejtori i përgjithshëm i klubit sportiv Partizani, më 2 prill paditi pranë SPAK kreun e Grupit Parlamentar të Rithemelimit, Gazment Bardhi, lidhur me rastin “Xibraka”, ku sipas Ramës, deputeti shqiptar ka shpifur për të.

Rasti i të cilit i referohet, është akuza e Bardhit se vëllai i kryeministrit është i përfshirë në Laboratorin e drogës në Xibrakë.

Sipas denoncimit të Bardhit, një person i paidentifikuar, i moshës 45 vjeç, rezulton të ketë përdorur automjetin me targa AA 653 DM. Ky person, aludon Bardhi, është pikërisht Olsi Rama.

Në padinë e Ramës, vetëm një ditë pasi Bardhi çoi pretendimet e tij në SPAK, theksohet se faktet e paraqitura nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, janë të pavërteta dhe janë publikuar me qëllim.

Rama kërkoi regjistrimin e padisë, ku Bardhi akuzohet për “Kallëzim të rremë”.

“Kam depozituar në SPAK kallëzimin për deputetin e paturpshëm Gazmend Bardhi, i cili ka cenuar publikisht nderin dhe dinjitetin tim publik, si individ, prind dhe drejtues i një klubi të mirënjohur futbolli, duke shpikur një lidhje totalisht inekzistente mes meje dhe një grupi trafikantësh të drogës”, ka deklaruar vëllai i kryeministrit Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë