Drejtësia

SPAK merr të pandehur ish-kryetarin demokrat të Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia

Gazeta Si – Ish-kryebashkiaku demokrat i Shkodrës, Bardh Spahia është marrë i pandehur nga SPAK, pasi akuzohet për “pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, parashikuar nga neni 320 i Kodit Penal.

Mësohet se Spahia është kallëzuar nga shtetasi Mark Molla, i cili pretendon se ish-kryebashkiaku e ka shkarkuar nga detyra si Drejtor i Ujësjellësit, pa pasur të drejtën për një veprim të tillë.

Ish-deputeti demokrat kishte dhënë shpjegime më herët në lidhje me çështjet që është thirrur, si i kallëzuar për shkelje të ligjit kur ishte kryebashkiak, teksa vetë i ka quajtur “çështje pa interes publik”.

Por këtë të martë i është komunikuar edhe akuza, pasi ka qenë i denoncuar nga ish-drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër për shkarkimin në vitin 2022, sipas SPAK për shkelje të ligjit.

Molla është shkarkuar verën e 2022-shit nga Spahia, i cili vendosi drejtor një anëtar të FRPD-së, dhe akuzon Spahian se ka shkelur ligjin me këtë shkarkim.

Me herët ai është kallëzuar në SPAK për shkelje të kryera gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale në kohën, që drejtonte Bashkinë e Shkodrës.

Në mars të vitit të shkuar, Spahia u kallëzua në SPAK bashkë me disa kryebashkiakë të tjerë, për “shpërdorim detyre” në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë