Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar shqyrtimin e dosjes së ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Gjatë seancës së sotme, SPAK shpalli pretencën dhe kërkoi 2 vite burg si dhe përjashtimin me 5 vite nga ushtrimi i funksioneve publike, me akuzën për fshehje të pasurisë.
Seanca për të dhënë vendimin është më 20 maj, ku gjykata do të vendosë nëse do të pranojë pretencën e Prokurorisë së Posaçme për Llallën.
Kjo është hera e parë që kërkohet një masë dënimi e tillë për një ish-funksionar të lartë të drejtësisë shqiptare.
Me rigjykimin e çështjes, ish-kryeprokurori Llalla humb të drejtën për gjykim të shkurtuar dhe uljen e 1/3 së dënimit, nëse shpallet fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij.
Ai është marrë i pandehur, pasi akuzohet për kryerjen e veprave penale të “fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë”, të kryer në 3 raste dhe rrezikon gjobë si dhe deri në 3 vite heqje lirie.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u largua nga detyra në 8 dhjetor 2017, pasi i skadoi mandati dhe në vend të tij u zgjodh vetëm me votat e socialistëve, kryeprokurorja Arta Marku.
Llalla i shpëtoi procesit të Vettingut, pasi paraqiti dorëheqjen nga sistemi para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
KPK-ja pranoi kërkesën e Llallës duke e nxjerrë nga sistemi dhe duke mos kaluar në Vetting. Komisioneri Publik ankimoi pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, vendimin e KPK-së.
Po kështu, Adriatik Llalla është një prej tre ish-zyrtarëve të lartë shqiptarë, për të cilin sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, më 14 shkurt të vitit 2018 komunikoi vendimin se ai nuk do të shkelë kurrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.