Drejtësia

Ish-kryeprokurori Llalla refuzon gjykimin e shkurtuar, gjyqi do të nisë nga e para

Procesi gjyqësor ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla do të nisë nga e para. Ky është vendimi në seancën e sotme gjyqësore që është marrë nga GJKKO, ku i pandehuri ishte parashikuar të bënte mbrojtjen e tij.

Por kjo seancë ka marrë një tjetër rrjedhë, pasi Gjykata e Posaçme ka vendosur që çështja e Llallës të nisë nga fillimi, me kërkesë të vetë ish-kryeprokurorit.

Përmes avokatëve të tij, Llalla ka tërhequr kërkesën për gjykim të shkurtuar, duke bërë që çështja ndaj tij të rikthehet në pikën zero. Në këtë mënyrë, gjithçka bëhet e pavlefshme pas pretencës së prokurorisë për dënimin e tij me dy vite burg.

“Gjykata do të dalë me një njoftim, çështjen do e ndjek deri në fund, do të jem prezent për të ndjekur vetë seancat”, - ka deklaruar ish-Prokurori i Përgjithshëm jashtë ambienteve të gjykatës për mediat.

Llalla është thirrur si i pandehur nga Prokuroria e Durrësit për akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.

Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sekuestron e pronave të tij.

Sakaq, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendos nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.

Më tej, SPAK njoftoi më 9 mars, përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.

Më herët, ish-kryeprokurori Llalla, ka kërkuar disa herë përjashtimin e trupës gjykuese nëpërmjet avokatit të tij, ndërkohë që sot është paraqitur për herë të parë në seancë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë