Drejtësia

SPAK kërkon 17 vite burg për Islam Sefën, kreun e trafikut të drogës nga Shqipëria në Gjermani

Gazeta Si – SPAK ka kërkuar dënimin me 17 vite burg për Islam Sefën, i cili akuzohet si kreu i një grupi që ka trafikuar drogë me vlerë 3,3 milionë euro nga Shqipëria në Gjermani.

Në rast të dënimit, ai përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe masa e dënimit mund të jetë 11 vite e 4 muaj burg.

Më 2 korrik 2024, Sefa u arrestua teksa pinte kafe në një lokal pranë godinës së SPAK-ut, i cili njoftoi se i dyshuari ishte identifikuar nga një hetim i përbashkët me autoritetet gjermane, të cilat zbuluan një grup kriminal shqiptaro-gjerman që merrej me trafik droge

SPAK tha në atë kohë se kishte identifikuar 12 persona anëtarë të këtij grupi, nga të cilët 8 janë shqiptarë dhe 4 shtetas gjermanë

Sipas SPAK, grupi kriminal, gjatë viteve 2020-2021, kishte importuar në Republikën Federale Gjermane, në disa episode, sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit marijuana.

Sasia e lëndës narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja, e cila pasi futej në territorin gjerman, është tregtuar në rajonin Wolfsburg-ut, Magdeburg-ut, si dhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Gjatë hetimeve, janë evidentuar 9 (nëntë) episode dhe është provuar se sasia e lëndës narkotike të trafikuar është 912 kg marijuanë, kurse vlera e lëndës narkotike të trafikuar kap vlerën prej 3.374.400 (tremilionë e treqindë e shtatëdhjetë mijë e katërqind) euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë