Ngjarje

SPAK heton tenderat “sekretë” të Mbrojtjes dhe Shëndetësisë

Prokuroria e Posaçme njoftoi ditën e enjte se ka nisur hetimet paraprake në lidhje me tenderat e zhvilluara nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë gjatë periudhës së emergjencës e të klasifikuar si sekret shtetëror.

Nisja e hetimeve është njoftuar në faqen zyrtare të SPAK, ku ky institucion ka publikuar informacion në lidhje me veprimet që ka kryer prej datës 9 mars deri më datën 30 prill.

“Po bëhen hetime intensive në procedimin penal që ka objekt prokurimet e zhvilluara në kushte emergjence të pandemisë nga Ministria e Mbrojtjes, si dhe po kryhen verifikimet e nevojshme në lidhje njoftimet e bëra publike për prokurimet e zhvilluara në kushte emergjence të pandemisë nga Ministria e Shëndetësisë me procedurë të klasifikuar ″Sekret″, thuhet në njoftimin e SPAK.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave u akuzuan në SPAK nga Partia Demokratike në fillim të prillit për një tender me vlerë 1.5 mln euro për rezervat ushqimore shtetërore. Tenderi u fitua pa garë nga kompania “Eurovia”, një kompani maqedonase, që opozita akuzon se nuk ka asnjë përvojë në fushën ushqimore dhe se ka ndryshuar objektin e aktivitetit të saj vetëm 6 ditë para se të hidhej tenderi nga Ministria e Mbrojtjes.

Ministrja Xhaçka i cilësoi akuzat shpifje dhe akuzoi opozitën se po shfrytëzon pandeminë dhe emergjencën për përfitime politike.

PD ka akuzuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë për abuzime dhe korrupsion me tenderat e klasifikuar sekret. Sipas opozitës janë të paktën 17 tendera, që thotë se ka fryrje fiktive të vlerës së tyre dhe me klasifikimin sekret fshihen afera korruptive.

Megjithatë, Instituti Shqiptar i Shkencave (AIS, promotor i Open Data Albania) thotë se SPAK i ka duart e lidhura për hetimin e mundshëm penal të këtyre tenderave. AIS thotë se kontratat në fjalë janë miratuar duke i referuar vendimeve të Këshillit të Ministrave në kuadër të përballimit të pasojva të Covid-19 dhe jo në bazë të ligjit normal për prokurimet publike.

“Këto kontrata, nëse janë tipike korruptive, apo klienteliste nuk hetohen dot nga Prokuroria. SPAK ka duart e lidhura. Të rregulluara me Akt Normativ dhe VKM kontratat sekrete mbeten pjesë e përgjegjësisë politike dhe bllokohet përgjegjësia penale. Kjo është arsyeja pse Qeveria “Rama” në vend që të përdorë legjislacionin në mbrojtje të shëndetit publik, ku ka mjaftueshëm masa për menaxhim të situatës, vendosi gjendje të jashtëzakonshme të fatkeqësisë. Me këtë zgjidhje juridike i lejon vetes dhe zyrtarëve keqqeverisje pa iu nënshtruar përgjegjësisë penale”, thuhet në deklaratë e AIS.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë