Gazeta Si - Në një operacion të nisur mbrëmjen e së hënës, SPAK ka lëshuar 11 urdhërarreste për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal, në radhët e të cilit ka edhe oficerë dhe punonjës të policisë.
Në një njoftim zyrtar për operacionin, SPAK thotë se u arrestua ish-zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni. Në kërkim është djali i tij, Eralbi Breçani, biznesmeni Ervin Mata dhe 4 të tjerë.
SPAK bën me dije se nga 11 urdhërarrestet e lëshuara, 4 persona janë arrestuar, 6 janë të shpallur në kërkim dhe një në "detyrim paraqitje".
Të arrestuarit janë Erzen Berçani, Besmir Murati, Dedan Gjoni dhe Bujar Ajeti (Gërmizi). Ndërsa në kërkim janë shpallur 6 të tjerë: Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova, Eralbi Breçani, Ervin Mata. Për pjesëtaren e 11 të këtij grupi, oficeren e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit Jonida Babameto u caktua masa e detyrimit të paraqitjes.
Sipas SPAK, hetimet për grupin në fjalë, pjesëtarët e të cilit akuzohen se janë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Europë u kryen në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.
Akuzat
Mbi këta persona rëndojnë veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll në banesa dhe ambiente të tjera, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete, telefona, armë zjarri të ndryshme.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, është dokumentuar aktiviteti kriminal i personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal. Gjithashtu, njoftohet se është dokumentuar përfshirja e punonjësve të policisë në grupe kriminale.
Midis të arrestuarve në kuadër të operacionit të gjerë të Prokurorisë së Posaçme, është edhe një zyrtare e Policisë së Shtetit.
Dyshohet se Jonida Babameto është arrestuar për kohën kur ishte oficere në Interpol dhe ka dyshime se përcillte informacione tek grupi.
Trafik droge dhe tentativë vrasjeje
Gjeneza është trafiku i drogës jashtë vendit, që më pas ka sjellë edhe tentativën për të kryer vrasje pas prishjes së pazareve.
Katër dërgesa me kokainë të kapura në vitin 2021 në Holandë, Brazil, Gjermani dhe Spanjë, janë bërë objekt i hetimit të prokurorisë së posaçme SPAK, ndaj anëtarëve të grupit të Ervin Matës, i njohur për përplasjen me armë zjarri në ish-Bllok me Ervis Martinajn disa vite më parë.
Bëhet fjalë për një sasi prej 931 kg kokainë dhe lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, që janë kapur në katër shtete dhe SPAK ka provuar se organizatorë të dërgimit të kokainës nga vendet e Amerikës Latine në Evropë, ishin pikërisht shqiptarët, që drejtoheshin nga Ervin Mata.
Komunikimet telefonike në “Sky” të mbërritura nga autoritet franceze dhe belge, kanë hedhur dritë mbi këtë situatë, ku veç trafikut të kokainës, ky grup kriminal i përbërë nga më shumë se 11 persona, përgatitej edhe për vrasjen e kundërshtarëve.
Në planet për vrasje të Ervin Matës, Bujar Gërmizit dhe personave të tjerë ishin dy vëllezër shqiptarë që jetonin në Angli.
Paratë e drogës pastroheshin në Shqipëri
Në njoftimin e publikuar nga Prokuroria e Posaçme për goditjen e grupit kriminal pjesë e të cilit ishin zyrtarë e ish-zyrtarë policie, janë zbardhur edhe operacionet për sekuestrimin e lëndës narkotike në vitin 2021.
Gjatë hetimeve të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të SPAK, është bërë i mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:
Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Hollandë në datën 05.01.2021;
Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021;
Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erëitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani;
Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani;
Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Republikën e Shqipërisë;
Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë;
Ndërkohë po vazhdohet me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian.
Të arrestuar
- Erzen Breçani, ish-zv/drejtor i Rendit në Policinë e Tiranës
- Dedan Gjoni, shef seksioni për hetimin e Krimeve në Komisariatin Numër 6
- Bujar Ajeti (alias Gërmizi) emër i njohur i botës së krimit në Kukës
- Besmir Murati
Në kërkim
- Ismail Zeneli
- Artan Sulejmani
- Albert Prenga
- Bajram Grabova
- Ervin Mata
- Eralbi Breçani
Masë sigurimi personal
- Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit (është caktuar masa detyrim paraqitje)
Akuzat
1- “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “
2- Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,
3-“Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”,
4-“Trafikimi i narkotikëve”,
5-“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,
6- “Grupi i strukturuar kriminal”,
7- “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”,
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.