Ngjarje

“S’paguajmë, jemi pronarët!” Biznesmeni: Më ndihmoni, po më zhvatin e kërcënojnë

Xhoni Naci jetoi për një kohë të gjatë në Greqi. Kur u kthye në Tiranë fillimisht ai u punësua në një shoqëri e më pas vendosi të ndërtojë diçka të tijën. Duke qenë se e njihte specialitetin e gatimeve të detit, mori me qira nga shtetasi Kujtim Shtufi një lokal në rrugën e Kavajës, pranë Lidhjes së Shkrimtarëve. Por, Xhonit sapo i kanë nisur andrallat me një grup njerëzish që vijnë në lokalin e tij dhe pasi konsumojnë ushqime , thonë “ nuk paguajmë, ne jemi të zotët e lokalit”.

Denoncimi në Komisariatin numër 3
Xhoni Naci i thotë policisë se “Kam rreth pesë muaj që kam marrë me qira një ambient si bar restorant në rrugën “Kajo Karafili” nga shtetasi Kujtim Shtufi, të cilit i përgjigjem dhe i paguaj qiranë çdo muaj.

Para një jave, një grup grash, të cilat unë nuk i njihja dhe nuk i njoh pasi konsumuan ushqim, i kishin thënë kamerierit “nuk paguajmë pasi jemi pronarë të këtij ambienti. Unë për t’ju shmangur konfliktit, i lashë të iknin normal. Por, sot në datë 23 korrik në orën 11:00, gratë erdhën përsëri së bashku me një shtetas që quhet Halit Nazifi, duke më sharë e kërcënuar dhe duke më ofenduar për jetën me fjalët më të pista. Ato më thanë “do të vras, do të marr djalin peng, pasi është prona jonë”. Unë pas kësaj që ka ndodhur, po ndihem i tmerruar dhe jam me frikën se mos shkojnë më tej. Vetë unë nuk kam asnjë problem me to. Kjo për faktin se unë jam në marrëdhënie korrekte, pasi kamë bërë kontratë dhe i përgjigjem atij që unë i kam marrë me qira ambientin. Ai nuk ka asnjë pretendim dhe asnjë konflikt me mua. Këto gratë, jo vetëm që erdhën dhe u futën në ambientin që kam marrë me qira dhe pasi u thanë punëtorëve të mi “dilni jashtë, nuk do punoni deri sa të vijë pronari”. Mua më njoftuan dhe kanë pritur derisa unë kam shkuar. Kur hyra në objekt, në këtë moment ky shtetasi që quhej Halit Nazifi me gjithë gratë më kanë qëlluar me shishe pas koke duke më sharë dhe kërcënuar dhe në këtë moment kanë ndërhyrë forcat e policisë dhe i kanë shoqëruar në Komisariat.

Denoncimi tjetër në Komisariatin numër 2
Para një jave erdhën disa gra dhe pasi konsumuan ushqim thanë që nuk paguajmë se jemi pronarët. Më komunikoi menaxheri për situatën dhe pasi pyeta nëse kishte apo jo klientë, i kërkova menaxherit t’i linte të iknin, që të mos prishej puna me klientelën dhe se ato ishin gra. Por, sot ato gratë kanë ardhur sërish dhe pasi janë prezantuar si Marjana Gega dhe Esmeralda Gega, kërkojnë që ta lë biznesin tim, të cilin e kam marrë me qira me kontratë noteriale të rregullt, kontratën e kam bërë me të zotin e objektit që quhet Kujtim Shtufi dhe këto shtetase nuk e di kush janë dhe pse më kërcënojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë