Ngjarje

Me sytë nga Amerika!

Duke filluar që prej orës 18:00 të kësaj të marte, të gjithë ata që kanë aplikuar nga 3 tetori deri më 6 nëntor të vitit të kaluar mund të verifikojnë në faqen zyrtare të lotarisë amerikane nëse janë përzgjedhur apo jo nga sistemi si fitues për DVLottery2020.

Kontrolli bëhet përmes futjes së numrit të konfirmimit, (Confirmation Number), që u është dhënë automatikisht në momentin e aplikimit sipas formatit 2020xxxxxxxxxxxx. “You have been selected” (Ju jeni përzgjedhur) është mesazhi që shfaqet për fituesit pas vendosjes së këtij kodi dhe pas plotësimit të fushave të tjera që kërkon procesi.

Por kujdes, kjo nuk ju bën automatikisht fitues. Kjo është faza e parë. Faza e dytë nis me plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, që duhet të realizohet brenda pak javëve dhe më pas dorëzimi dhe paraqitja personalisht në Ambasadë e SHBA në Tiranë.

Ndërkohë, për ata që nuk përzgjidhen fitues në raundin e parë, këshillohet ruajtja e numrit të konfirmimit (dhe e shpresës) deri në vjeshtë, të paktën siç ka ndodhur në vitet e kaluara. Deri në këtë periudhë, Ambasada Amerikane në Tiranë herët e tjera ka nxitur aplikuesit që të verifikojnë herë pas here statusin e tyre në faqen e DV Lottery Status Check, pasi ky status mund të ndryshojë dhe të shpalleni fitues.

Nga shifrat e publikuara një herë në tre vjet nga ana e Departamentit të Shtetit, shqiptarët janë populli me numrin më të madh të aplikimeve për lotarinë amerikane në bazë të popullsisë. Aplikimet janë bërë gjithnjë e më masive, sidomos katër vitet e fundit.

Në 2015, gjithsej numëroheshin rreth 100 mijë aplikime, përfshirë aplikime personale dhe familjare, për një total prej rreth 198 mijë personash. Në 2016 numri i aplikimeve u rrit me më shumë se 50 për qind, ndërsa ai i personave u dyfishua.

2017 vendosi një tjetër rekord. Rreth 320 mijë shtetas shqiptarë kishin aplikuar për rreth 4 mijë vende fituese dhe trendi vazhdoi në 2018, ku megjithë probabilitetin e pakët për të fituar, u shënua një tjetër rekord. Rreth 170 mijë ishte numri i aplikimeve për 370 mijë persona në total.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë