Ka ndodhur

Sot sfida Shqipëri-Angli, policia merr masat: Bizneset e vendosura në stadiumin ‘Air Albania’ do të mbyllen para ndeshjes

Policia e Shtetit ka marrë masat për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Angli që do të luhet sot në orën 18:00 në stadiumin "Air Albania". Bizneset e vendosura në stadiumin ‘Air Albania’ do të mbyllen para ndeshjes dhe do të qëndrojnë të tilla deri në përfundim të saj.

Ndryshe nga ndeshjet e tjera, kësaj here rrugët nuk do të bllokohen, ndërsa rrugët rreth stadiumit do të bllokohet vetëm në momentin e mbërritjes së lojtarëve në stadiumin "Air Albania". Ndeshja do të luhet pa tifozë për shkak të pandemisë si pjesë e masave kufizuese për të shmangur përhapjen e infektimit.

Sigurimi i perimetrit të jashtëm të stadiumit ‘Air Albania’ për shkak të bizneseve krijoi replika mes policisë së shtetit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo e fundit fillimisht ka bërë publike një letër të policisë së Tiranës, e cila nuk merrte përsipër organizimin e ndeshjes së kombëtares kundër Anglisë,  me arsyetimin se strukturat e vendosura jashtë stadiumit nga bizneset cenojnë standardet e sigurisë. Lajmi u përgënjeshtrua nga Policia e Shtetit, e cila tha se masat janë marrë ndërsa u vendos mbyllja e bizneseve para zhvillimit të ndeshjes deri në përfundim të saj.

Në lidhje me pjesëmarrjen e tifozëve gjatë ndeshjes Shqipëri-Angli, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama ku i kërkon lejimin deri në 30 % të kapacitetit por kjo kërkesë u refuzua nga Komiteti i Ekspertëve, pasi rrezikohet shëndeti i qytetarëve për shkak të COVID-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë