Nga Gazeta ‘Si’- Sot më 18 maj në orën 16:30, mijëra studentë shqiptarë do të mblidhen para Urës së Gurit në Shkup për të kërkuar të drejtën që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Slogani i protestës është “Bashkohuni me studentët – të gjithë njëzëri”, duke theksuar nevojën për respektimin e të drejtave gjuhësore në provimet e jurisrudencës.
Protesta vjen pas refuzimit të kërkesës së studentëve nga ministri aktual i Drejtësisë, Igor Filkov dhe është e dyta që organizojnë studentët shqiptarë këtë vit.
Më 6 prill 2026, një protestë e ngjashme u mbajt në Shkup, ku mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë kërkuan respektimin e të drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në procedurat ligjore. Kjo i detyroi kryeministrin Hristijan Mickovski të deklaronte se qeveria po punonte për një zgjidhje dhe se shumë shpejt do të kishte një propozim konkret.
Sipas Ligjit për Provimin e Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut, nuk ekziston ndonjë kufizim që detyron dhënien e provimit vetëm në gjuhën maqedonase. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2019, detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin e gjuhës shqipe nëse të paktën 20% e qytetarëve flasin këtë gjuhë.
Neni 2 dhe Neni 5 i këtij ligji përcaktojnë qartë që institucionet shtetërore dhe gjykatat duhet të mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha procedurat zyrtare.
Një projektpropozim që do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024, por për shkak të ndryshimeve në përbërjen parlamentare dhe qeverisë, ai u hoq nga agjenda e Kuvendit dhe nuk u diskutua më nga qeveria aktuale.
Që nga hyrja në fuqi e ligjit për përdorimin e gjuhëve, Maqedonia e Veriut ka pasur katër ministra të Drejtësisë: Bojan Mariçiç, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht Igor Filkov.
Studentët kërkojnë që ligji të zbatohet plotësisht dhe se çdo qytetar shqiptar të ketë mundësi të japë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tij, pa pengesa administrative apo politike. Protesta e sotme synon të rrisë presionin mbi qeverinë dhe të sigurojë që të drejtat gjuhësore të studentëve shqiptarë të respektohen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje