Ngjarje

Maratona e Tiranës, dominojnë kenianët, Luiza Gega thyen rekordin kombëtar

Ka përfunduar edicioni katërt i Maratonës së Tiranës, i cili nisi rreth orës 9:00.

Rekordmenia shqiptare, Luiza Gega, u shpall fituese e kategorisë Tirana 10K me kohën 00:33:42, e cila arriti të thyejë sërish rekordin kombëtar.

Ndërkohë kanë dominuar sportistët nga Kenia, të cilët kanë qenë fitues të gjysmë-maratonës me gjatësi 21, 0975 km.

Fitues i garës së Gjysmë Maratonës (21, 0975 km) për meshkuj doli sportisti nga Kenia, Laban Cheruiyot, i cili e realizoi për kohën 01:06:44, ndërsa për femra fituese doli një tjetër sportiste nga Kenia, Christine Moraa Oigo, e cila e realizoi për kohën 01:20:32.

Ndërkohë që në garën Tirana 10K fitues për meshkuj doli Hillary Kiptum Maiyo Kimaiyo me kohën 00:29:57, po nga Kenia. Ndërsa për femra fituese u shpall rekordmenia shqiptare, Luiza Gega me kohën 00:33:42.

Maratona zhvillohet për të katërtin vit radhazi dhe u vu re një numër i madh vrapuesish nga shumë shtete të ndryshme të botës. Ishin mbi 2500 vrapues nga Shqipëria dhe më shumë se 42 shtete të ndryshme, që sfiduan veten dhe kolegët e tyre.
Për shkak të maratonës u bllokua edhe qarkullimi i automjeteve në kryeqytet.
Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Bashkia e Tiranës hartoi një plan masash, pasi për shkak të Maratonës ndryshoi edhe itinerari i qarkullimit të transportit urban.

Itinerari i qarkullimit

Gjatë fjalës së tij para nisjes së Maratonës, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se kjo garë që është kthyer në një eksperiencë të bukur për kryeqytetin dhe ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit që i janë bashkuar maratonës nga vende të ndryshme të botës.
"Shumë faleminderit që keni ardhur në Tiranë. Një duartrokitje për ata që kanë ardhur nga Kosova nga qytete të tjera të Shqipërisë, nga qytete të tjera të Europës. Nga Australia, Zelanda e Re, Japonia, Kina, Amerika, Kanadaja, Kili. Nga të gjithë bota. Faleminderit që keni ardhur në Tiranë, jam i sigurt që do të largoheni jo vetëm me një eksperiencë fantastike, por edhe me miq të rinj”, është shprehur ndër të tjera Veliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë