Ka ndodhur

Sot koncerti i Kanye West në Kashar, akset rrugore që do bllokohen deri në ora 24:00

Gazeta Si – Tirana pret mbrëmjen e kësaj të shtune, 11 korrrik 2026, koncertin e artistit me famë botërore Kanye West.

Për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Shtetit ka vendosur masa të posaçme për qarkullimin rrugor në zonën përreth “Eagle Stadium”, i ndërtuar në kilometrin e parë të autostradës Tiranë–Durrës.

Kufizimet kanë hyrë në fuqi që prej orës 07:00 të mëngjesit dhe do të vijojnë deri në mesnatë.

Gjatë kësaj periudhe, është ndaluar qarkullimi i automjeteve në rrugën dytësore nga kompleksi “Eiffel” deri te “Casa Italia”, ndërsa segmenti do të përdoret vetëm për dalje.

Gjithashtu, nuk lejohet hyrja në korsinë e daljes së autostradës Durrës–Tiranë pranë rrethrrotullimit të “Casa Italia”.

Nga ora 12:00 deri në 24:00 do të bllokohen edhe segmentet “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”, ndërsa rrugët “Sokrat Miho”, “Kasem Shima” dhe “7 Nëntori” do të funksionojnë vetëm me sens daljeje.

Autoritetet bëjnë të ditur se autostrada Tiranë–Durrës do të mbetet e hapur për qarkullim normal dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të përdorin akset alternative për të shmangur trafikun, pasi priten vonesa të konsiderueshme në hyrje të Tiranës, veçanërisht në zonën nga Ura e Institutit deri te “Casa Italia”.

Koncerti do të nisë në orën 20:00, ndërsa hyrja e publikut në stadium është planifikuar nga ora 18:00.

Për transportin e pjesëmarrësve do të përdoren linja të dedikuara autobusësh, si dhe linjat ekzistuese të transportit publik drejt City Park, Tiranës së Re, Kasharit dhe Institutit.

Sipas organizatorëve dhe autoriteteve, në koncert pritet të marrin pjesë mbi 60 mijë spektatorë.

Policia do të jetë e angazhuar gjatë gjithë aktivitetit, me fokus të veçantë menaxhimin e hyrjes dhe sidomos të daljes së publikut pas përfundimit të koncertit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë