Politike

Sot heshtje zgjedhore, të dielën sovrani vendos për qeverisjen e 4 viteve të ardhshme

Gazeta Si – Me mbylljen e fushatës elektorale mbrëmjen e të premtes nga dy partitë e mëdha, Shqipëria sot është në heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën më 11 maj vendos me votë për qeverinë e 4 viteve të ardhshme.

Gjatë kësaj të shtune, ndalohen aktivitetet politike të partive, ndërsa të dielën, 11 subjekte garojnë për të fituar shumicën e 140 mandateve në Kuvend nëpërmjet një formule të re zgjedhore, ku secila parti garon me 186 kandidatë në listën e votimit, prej të cilëve 46-të janë në listat e mbyllura.

Në total 3.7 milionë shqiptarë kanë të drejtë vote për Kuvendin e ri, ndërsa për herë të parë, në këto zgjedhje ka votuar me postë edhe diaspora, me 245.935 emigrantë të regjistruar.

Në garën e 11 majit janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të hapura dhe të mbyllura. Çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit të KQZ-së, ku 46 janë nga lista e mbyllur.

Policia e Shtetit ka përgatitur një plan të detajuar masash që procesi zgjedhor të shkojë mirë dhe pa incidente.

Më shumë se 5 mijë punonjës policie janë angazhuar për ruajtjen e objekteve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që mbahen këtë të diel të 11 Majit.

Sot është afati i fundit i dërgimit të zarfeve në Greqi ndërsa duhet të kenë mbërritur deri të nesërmen në orën 19:00 përndryshe konsiderohen të pavlefshme.

Premtimi kryesor i PS ishte vijimi i procedurave për anëtarësim në BE. Ndërsa Sali Berisha nga ana tjetër, ka premtuar ndërhyrje në pothuajse të gjitha fushat e veprimtarisë së vendit, duke nisur nga rritja e pensioneve, tek politikat për çiftet e reja dhe uljen e taksave.

Të dielën i mbetet në dorë sovranit që të vendosë mbi fatin e 4 viteve të ardhshme të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë