Ngjarje

Sot dita botërore e televizionit

1996-ta ishte viti kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, shpalli 21 nëntorin si “Ditën Botërore të Televizioni”. Ky vendim erdhi duke kujtuar se në datën 13 shkurt po të vitit 1996, ku thuhej se institucionet do të arrijnë qëllimet e tyre nëse popujt kudo në botë janë të informuar plotësisht. Përmes kësaj rezolute Asambleja aso kohe i ftoi të gjithë shtetet anëtare të respektojnë këtë ditë dhe të shfrytëzojnë televizorin si një objekt ku do të përçojnë programe që kanë si bazë paqen, sigurinë, ekonominë, shërbimin kulturor dhe të gjitha sferat e tjera sociale.


21 nëntori simbolizon komunikimin dhe globalizimin në të gjithë botën dhe ka bërë bashkë institucionet kryesore mediatike si, Unioni Europian i Transmetuesve (EBU), EGTA, Asociacioni i Radio Televizioneve dhe Asociacionin e Televizioneve Komerciale në Europë. Në ditët e sotme askush nuk mund të imagjinojë veten pa televizorin, pa u informuar për ngjarje të ndryshme. Rëndësia e televizionit në shoqëri po thellohet gjithnjë e më shumë, pasi ky mjet që në fillimet e tij, nisi të ndryshojë botën dhe konceptin për jetën.

Përpara shumë viteve John Logie Baird ishte i pari që eksperimentoi për një televizor, i cili fillimisht ishte mekanik. Ishte pikërisht Baird, shkencëtari nga Skocia që njihet si krijuesi i televizorit. Fillimisht kutia që u bë pjesë e të gjitha shtëpive ishte aq e vogël sa ngjante me radion, por që zëri shoqërohej me figura. Kjo shpikje transformoi botën në mënyrë të jashtëzakonshme, që krahasohet vetëm me dukuri të tjera si kompjuteri apo interneti. Por si çdo gjë tjetër fillimisht ideja e Baird u shpërfill, edhe pse vetëm pak vite më pas kjo shpikje arriti të mahniste botën. Ishte pikërisht BBC që adoptoi për herë të parë përdorimin e televizorëve që Baird i kishte prodhuar me shumicë në vitin 1929. Më pas ai shpiku edhe televizorin me ngjyra, duke u bërë kështu një nga shkencëtarët më të famshëm për dhjetëra vite.
Baird ishte djali i vogël i një prifti skocez, i cili studioi inxhinieri në universitetin e Glasgout, në Britaninë e Madhe, por shumë shpejt ai braktisi universitetin, duke i kushtuar kohën dhe vullnetin projekteve të tij që pushtuan botën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë