Treg

“Smeruci, sa e vështirë të jesh artizan në Shqipëri!”

Sabina Veizaj - Numëron 724 shitje dhe 314 adhurues që e vlerësojnë me 5 yje në platformën ndërkombëtare amerikane Etsy. Dhe është ndër 10% të dyqaneve më të preferuar të platformës. Por tregu shqiptar nuk e favorizon.

Smeruci është një brand shqiptar i bizhuterive artizanale. Së fundmi, e stilit hipi modern e përzier dhe me pagan.

Ata që e kanë krijuar mendojnë se kostumi i artizanit u qëndron ngushtë për disa gjëra dhe synojnë të jenë njëkohësisht artistë dhe artizanë në një të ardhme të afërt dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre jo vetëm në krijimin e bizhuterive, por edhe të veshjeve dhe orendive të shtëpive.

Smeraldën dhe Rudensin i kam takuar një vit më parë kur bënin “kërdinë” me shitjen e byrzylykëve me thurrje si në Etsy, edhe në Shqipëri. Ata byzylykë kushtonin një vit më parë 4 $, kurse sot kushtojnë 13 $.

Rudensi & Smeralda

Për shkak se Smeralda dhe Rudensi përballen me problematika të shumta çdo ditë në punën e tyre, mendojnë se gjërat nuk kanë lëvizur shumë në një vit.
Por ata e dinë me siguri se aktiviteti i tyre me klientelën e huaj është zgjeruar me mbi 10 %.

Atyre u janë dashur mbi 2 muaj që të merren ekskluzivisht me një kolekison “Pema e jetës”.
Varsja është e përbërë me gur Spirit Kuarc dhe pema e jetës, bonsai e ndërtuar në të me një stil unik. Është produkti më i shtrenjtë i shitur nga Smeruci, 25 mijë lekë dhe siç më thotë Smeralda është blerë menjëherë nga një vajzë që kryen terapi me kristale në Haway.
“E pa në Etsy dhe e pëlqeu shumë. Sa do të doja të shkoja edhe unë me varësen”, më thotë Smeralda, teksa ndër këmbë i spërdridhet macja e saj e zezë, Shanti. Jemi në shtëpinë e çiftit, të cilët banojnë tek Rruga e Kavajës, në katin e parë të një pallati të ndërtuar përpara viteve “90.

“Duhet kohë që ne të arrijmë nivelin që dëshirojmë. Nëse do të konkurosh ndërkombëtarisht duhet të sjellësh gjëra unike. Ne tani po bëjmë një koleksion të ri me lulëkuqje”, më tregon Rudensi. Smeruci përpos vlerës së artizanatit u shton produkteve edhe elementë kombëtarë si një vlerë e shtuar, duke marrë parasysh që produktet kalojnë oqeanin dhe mbërrijnë në shumë kontinente.

“Koleksioni i ri është me lulëkuqe. Lulëkuqja na ka tërhequr shumë si lule. Është lulja që simbolizon më shumë shpirtin shqiptar, jo vetëm nga ngjyrat të cilat janë në proporcion si ato të flamurit, por gjithashtu edhe idea që nuk kontrollohet, është e egër. “Lulëkuqet mbi Kristal.” Quhet koleksioni i ri”- më shpjegon Smeralda duke shtuar se “Përpiqemi të komunikojmë me publikun e huaj përmes elementëve kombëtar, të cilët kërkojnë shpjegime për produktet që blejnë.”

Koleksioni me Lulëkuqe

Ata kanë bërë shumë kërkime për punimet me lulëkuqje. Dhe kanë vënë re që artizanët e tjerë e stilizojnë lulen, nuk e sjellin origjinale. “Është delikate të bëhet me polimer (materialin që ne përdorim), prandaj e stilizojnë. Kurse ne përmes teknikave tona, kemi arritur ta bëjmë origjinal. Rudi merret me strukturën metalike, unë merrem me formën. Rudi është tek pjesa gjeometrike.”- më tregon Smeralda duke më demonstruar një “Lulëkuqje mbi Kristal” të përfunduar.

Por megjithëse në vend ka artizanë shumë të mirë dhe me eskperiencë shumë vjeçare në shumë lëmi, Smeralda dhe Rudensi nuk mund ta konisderojnë një treg solid trgeun e artizanatit. Sipas tyre ky treg vuan nga konkurrenca e pandershme, nga mungesa e politikave dhe e mbështetjes.

Smeralda duke punuar

“Problematika më e madhe në aktivitetin që ne kryejmë, mendojmë se është konkurrenca e pandershme. Njerëzit i japin të drejta vetes të kopjojnë dhe prishin tregun. Jemi ndër faqet e para që kemi sjellë këtë stil. Pas nesh kanë dalë të tjera që bëjnë gjëra shumë të ngjashme me ne. Nuk mundet që në një vend të vogël të jenë shumë artizanë që bëjnë të njëjtën gjë. Ne synojmë autenticitetin. Edhe jashtë ndodh kjo gjë. Është dikush që nuk ka kreativitet, i pëlqen të bëjë diçka, e kopjon nga një artizan autentik, por klientët dhe artistët e bojkotojnë. Nuk ka sukses, sepse nuk është etike. Është njësoj siç ndodh me bizneset, gjen 5 farmaci në një rrugë.”- më thotë Smeralda. Sipas saj, por edhe Rudensit, nuk ka përfaqësim të mirë artizanati në Shqipëri. Ata mendojnë se artizanët në vend nuk janë bashkëpunues, e shohin njëri-tjetrin me frikë, kanë frikë të ndajnë ide me njëri-tjetrin.

“Del një artizan në panair me tre stenda. Si i ka bërë me dorë gjithë ato produkte. Shet 200 lekë një byrzylyk me gur natyral teksa unë i shes 2000 lekë dhe nuk kuptohet diferenca. Nuk mundesh që të bësh një panair artizanësh, të zgjedhësh një rrugë rastësore dhe të ndërthurësh tregtarët me artizantë e të pretendosh zhvillimin e artizanit në Shqipëri dhe njerëzit ta vlerësojnë.”- shpjegon Smeralda teksa sapo ka marrë pjesë në një panair artizani dhe ka përjetuar zhgënjimin e radhës.

“Panairi ishte shumë i dobët me organizimin dhe si rezultat dhe shitjet”, më sqaron.
Por në një vit në Etsy, Smeruci ka kryer më shumë se 100 shitje dhe kjo nuk përkthehet në 100 produkte sepse të huajt siç më tregon Smeralda kur bëjnë një porosi blejnë disa produkte njëherësh.

Produktet e Smeruci variojnë nga 3000 – 25000 mijë lekë dhe përmbledhin gjithë gamën e bizhuterive që nga varëse, byrzylykë, vathë, etj.

Ajo më tregon se kur shkon në kampingje, takon shumë të huaj që vlerësojnë punën e tyre dhe blejnë shumë.

“E kam menduar që të marr kredi, të kem një dyqan, por nuk kam asnjë pritshmëri. Gjendja ekonomike është parësore ndër shqiptarë sepse ne kemi shumë shije, por nuk kemi mundësi. Tek unë e vendosin dorën tek produktet më të shtrenjta, por kur më pyesin për çmimin, largohen sapo e mësojnë. E shoh të vështirë shumë hapjen e një biznes të ri. Pa e hapur fare biznesin të kërkojnë shumë dokumente dhe taksa. Ti që në fillim e nis me minus”, tregon Smeralda dhe është e dyjëzuar nëse të qëndrojë në Tiranë apo të shkojë në Hollandë ku nga kërkimet e bëra i rezulton se aktiviteti i saj ka sukses.

“Hollandën do të zgjidhja. Kam takuar shumë hollandezë që e njohin shumë mirë punën që unë punoj, kanë komunitetin hipi modern.Vetë shteti që i promovon shumë artizanët, orrganizon panaire, festa”, thotë, por e ka të vështirë ta lërë Shqipërinë.

Dëshira e saj do të ishte që këtu gjërat të shkonin mirë dhe ajo të investonte këtu.
Smeralda ka studiuar arkitekturë, kurse Rudensi elektronikë. Smeralda nuk e ushtron profresionin. I është përkushtuar krejtësisht artizanatit duke kërkuar në mënyrë autodidakte të zhvillohet dhe përmes kurseve on line. Por pak muaj më parë ajo ka ndjekur një master të shkurtër në një shkollë artizanale në Letoni ku ka mësuar përpunimin e metaleve, teknikë që mendon ta fusën në punën e saj. Kurse Rudensi e ushtron profesionin e vetë.
Përpos që bashkëpunon ngushtë me Smeraldën në krijimin e produkteve, ai kryen edhe shpërndarjen e tyre me biçikletë tek klientët që janë në Tiranë.

“Posta na penalizon. Kërkon 1 muaj për të shkuar porosia jashtë vendit. Fuqia blerëse shqiptare nuk të jep energji, përkrahje. Nuk janë mësuar të jenë interaktiv në rrjetet sociale ku shiten produkte”, thotë Rudensi.

Në Letoni, më tregon Smeralda, kishte mbështetje shumë nga shteti për artizanët, si në aspektin e shkollimit, por edhe të mbështetjes së bizneseve të fushës, krijimin e panaireve, etj.

“Panairet këtu lënë për të dëshiruar. Nuk ka koncept, shpirt të vetin, nuk është funksional. Po ashtu nuk ka asnjë mundësi për të nxitur biznesin social. Nuk kemi përkrahjen që të kalosh në tjetër stad. Mendoj se kemi bërë shumë hapa, ne nuk e kemi të trashëguar këtë gjë. Prandaj e quajmë veten aspirant. Shpresojmë të lind një gjeneratë e re artizanësh. Por me këto vështirësi…”, thotë Rudensi.

Smeralda dhe Rudensi mendojnë se biznesi i tyre ka një vlerë 30 mijë euro, por nëse do ta shisnin vlera e tij mund të arrinte mbi 50 mijë euro.

Aktualisht Smeruci po investon në imazh duke bashkëpunuar me modele shqipatre dhe të huaja që të promovojë brandin.

“Modelja e parë është Vivian Leka, por së shpejti do të bashkëpunojmë me modele të huaja; Deadra Model, polake. Morgan Relay. Ne i dërgojmë produktet që u përshtaten, ato i marrin produktet falas, bëjnë set fotografik dhe na promovojnë. Njëkohësisht na japin edhe setet fotogrfike për t'i promovuar edhe ne”, më thotë Smeralda duke e vlerësuar këtë si një mnënyrë shumë e mirë për t'u rritur. “Ende pa bërë setin fotografik, por duke e paralajmëruar atë, kanë nisur të na ndjekin shumë të huaj.”

Ajo çfarë të huajt pëlqejnë tek Smeruci janë; skulptimi dhe estetika. “Produktet tona kanë të njëjtën frymë, ngjyrat e kombinuara, frymëzohen nga fantazia, duken që janë bërë nga e njëjta dorë. Polimerklei; qeramika polimer është materiali që përdorim, plus lëkura dhe gurët natyralë”- tregon Smeralda.

Çifti dëshiron që në 10 vite të kenë atelienë e tyre dhe shumë projkete ku të përfshihen shumë njerëz dhe tregu i artizanatit në Shqipëri të jetë zhvilluar dhe konsoliduar.
Deri atëherë do të jenë në dyzim të vazhdueshëm nëse të rrinë apo të ikin…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë