Analize

Sllovakia kthen vaksinat ruse: Janë doza të ndryshme nga ato të vendeve të tjera

Sllovakia do të kthejë vaksinat ruse kundër koronavirusit për shkak të shkeljeve të shumta të kontratës, duke e zhytur vendin e Europës Lindore në një krizë politike. Instituti Shtetëror i Sllovakisë për Kontrollin e Barnave pretendon se vaksinat e dërguara në vend ishin të ndryshme nga ato që ishin dërguar në vendet e tjera.

Instituti tha se ai gjithashtu nuk kishte marrë informacion të mjaftueshëm në lidhje me Sputnik V që të ishte në gjendje të vlerësonte përfitimet dhe rreziqet e tij. Këto pretendime sollën deklarata të ashpra nga Moska zyrtare.

Llogaria zyrtare në Twitter e vaksinës Sputnik V akuzoi Sllovakinë për një "akt sabotimi" dhe tha se kishte ajo "filluar një fushatë dezinformimi kundër Sputnik V dhe planifikon provokim shtesë". Ndërkohë autoritet sllovake shtuan se vaksina duhet të ishte testuar në një laborator që është pjesë e rrjetit zyrtar të BE-së për kontrollin e ilaçeve.

Sputnik V nuk është miratuar ende për përdorim në BE, por rregullatori i unionit, Agjencia Europiane e Barnave (EMA), filloi një rishikim të vaksinës muajin e kaluar. Pala ruse i quajti pretendimet se vaksinat Sputnik V në Sllovaki ishin të ndryshme si "lajme të rreme".

"Të gjitha dozat dhe dërgesat e Sputnik V janë të së njëjtës cilësi dhe i nënshtrohen kontrollit rigoroz të cilësisë në Institutin Gamaleya," tha Moska zyrtare. "Cilësia e Sputnik V është konfirmuar nga rregullatorët në 59 vende."

Por Sllovakët thanë se ato vaksina duket se "kanë vetëm emrin e përbashkët". Instituti sllovak vuri në dukje se vaksinat e dorëzuara në Sllovaki nuk ishin identike me ato që vlerësohen si efektive dhe të besueshme në studimin nga revista e vlerësuar e shkencës Lancet.

Koalicioni qeverisës i Sllovakisë u shemb muajin e kaluar pasi Kryeministri Igor Matovic orkestroi një marrëveshje të fshehtë për të blerë 2 milion vaksina Sputnik V pavarësisht mosmarrëveshjeve nga partnerët e tij të koalicionit. Matoviç mirëpriti 200,000 vaksinat e para ruse në një aeroport në 1 mars. Matoviç, i cili tani shërben si ministër i financave dhe zëvendës kryeministër në qeverinë e re që u betua javën e kaluar, ishte në Moskë të enjten për të diskutuar shpërndarjet e mëtejshme të vaksinave. Rusët thanë që Kirill Dmitriev, shefi ekzekutiv i Fondit Rus të Investimeve Direkte që prodhon vaksinën dhe e tregton jashtë vendit, kishte "një takim produktiv" me Matoviç.

Por sot fondi u kërkoi sllovakëve të dërgojnë Sputnik V në një laborator të çertifikuar nga BE për testim në rast se kanë dyhsime dhe u kërkoi atyre të kthejnë vaksinat që kanë marrë në mënyrë që ato "të mund të përdoren në vendet e tjera". Ai kërkoi që Sllovakia të kthente stokun prej 200,000 vaksinash Sputnik V, duke përmendur shkelje kontraktuale nga Instituti Sllovak për Kontrollin e Barnave.

Grupi i parë i vaksinës ruse Sputnik V arrin në Aeroportin e Koçicës, 1 Mars 2021

"Urime, idiotë," tha Matoviç në një mesazh në Facebook për kundërshtarët e marrëveshjes së Sputnik. Ai akuzoi ministrin e tij të shëndetit, Marek Krajci se po luan me jetën e të tjerëve duke u përpjekur të sabotonin përdorimin e Sputnik në vend.

Instituti Sllovak për Kontrollin e Barnave mohon çdo akuzë. Shqetësimet në lidhje me efikasitetin e Sputnik janë rritur që kur rregullatori sllovak i ilaçeve raportoi më 30 mars se nuk kishte informacion të mjaftueshëm dhe nuk kishte dokumentacion të plotë dhe prova për të përcaktuar sigurinë e vaksinës ruse sipas standardeve.

Ky qëndrim ka zemëruar Matoviç, i cili nënshkroi fshehurazi marrëveshjen me Sputnik pa u thënë partnerëve të tij të koalicionit. Ai ka akuzuar mediat dhe autoritetet sllovake për përhapjen e dezinformatave rreth vaksinës ruse. Në një postim pak para nisjes së tij në Moskë, Matoviç dënoi "çdo përpjekje të organizuar për të parandaluar përdorimin e Sputnik V në Sllovaki".

Pavarësisht nga të gjitha këto, sondazhet e fundit tregojnë se nga 42 për qind e sllovakëve që janë të gatshëm të vaksinohen, më shumë se gjysma do të merrnin Sputnik, ndërsa  një e treta e atyre që aktualisht janë kundër vaksinimit do të ndryshonin mendim nëse u ofrohej vaksina ruse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë